Vuçiq shqetësohet se kriza e Ukrainës mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë të hënën që ka shqetësime se kriza e Ukrainës “mund të përhapet në pjesë tjera të Evropës dhe në botë, sidomos në Ballkanin Perëndimor”, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Vuçiq ka vlerësuar se edhe Serbia do të përjetojë presion të madh për shkak të ngjarjeve botërore që do të shkaktojnë krizë në disa fusha.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar të hënën, 21 shkurt, trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.

Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar se përshkallëzimi ushtarak do të nxisë pasoja masive për Moskën.

Ky vendim i Putinit ka ardhur disa orë pasi ai ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës si Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura.

Në dekret është thënë se vendimi duhet të zbatohet menjëherë.

Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër vendimin e Putinit.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbesin plotësisht mbështetëse të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj ndërkombëtarë./REL