Foto: Kallxo.com

Vrasja e plagosja në Lipjan ndodhën “për motive familjare” (VIDEO)

Një person është vrarë e pesë të tjerë janë plagosur në një shkëmbim zjarri që ka ndodhur mëngjesin e hershëm në fshatin Hallaq të Madh të Komunës së Lipjanit.

Gëzhoja armësh, dy vetura njëra nga to kombi, po ekzaminoheshin nga ekipet e hetuesisë në vendin e ngjarjes disa orë pas incidentit.

Në fshatin ku jetonin viktima dhe pesë të plagosurit, shtëpitë e të njëjtëve gjendeshin shumë afër njëra tjetër.

Fqinjët i përshkruajnë si të afërt dhe se të njëjtit më parë nuk kishin pasur probleme të tilla.

Bahti Tërpeza, në fshatin Ribar i Madh, i po të njëjtës komunë flet për marrëdhëniet mes familjes Hoxha e Jakupi.

“Rasti që e dëgjova është e dhimbshme. Këto dy familje Hoxha e Jakupi kanë qenë të afërt mes vete s’kanë pasur konflikt më herët. Kanë punuar në disa biznese. Gjithë kanë pasur bashkëpunim mes vete kanë qenë të afërt mes vete”, thotë ai.

Një tjetër fqinj, Lavdim Troshupa, thotë se problemi lindi nga disa fjalë mes tyre.

“Është e vërtete e kanë çu mes vete shumë mire. Njëri nga djemtë e njërës familje ka ba fjalë me këta të familjes Hoxha. I vdekuri ka ardhur nga Zvicra para tri dite”, tha një fqinj tjetër.

Pas ngjarjes që kishte ndodhur disa kilometra larg fshatit ku jetonin të të plagosurit dhe viktima, në fshatin Ribar i Madh kishin nisur bastisjet e shtëpive nga ana e njësiteve speciale policore.

Gjatë kësaj bastisje nuk sipas policisë nuk u gjet asgjë.

Komandanti i nënstacionit policor në Magure, Naser Karpuzi ka treguar se motivi i vrasjes ka qenë familjar.

“Deri tash kemi marrë informatë se në fshatin Hallaq ka ndodhur një incident në mes dy familjeve sipas informatave që keni edhe ju një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë të lënduar. është kryer bastisja nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Motivet janë familjare,” tha ai.

Ky zyrtar policor konfirmoi se i vrari ka ardhur nga diaspora.