
Votimi jashtë vendit - A u cenuan të dhënat e votuesve?
Procesi i votimit në zgjedhjet e 09.02.2025 u përcoll pa ndonjë parregullsi të madhe, mirëpo votimi jashtë vendit, në ambasada e konsullata dhe përmes postës nuk shkoi edhe aq mirë. Ndërkohë, Prokuroria e Prishtinës nisi hetimet për pretendimet e ngritura në publik.
Për herë të parë në historinë e vendit, bashkatdhetarëve që jetojnë nëpër shtete të botës iu mundësua që të votojnë në dy mënyra prej jashtë territorit të Kosovës. Ndryshe prej viteve të kaluara, kësaj radhe përveç me postë atyre iu mundësua të votojnë edhe nëpër përfaqësi diplomatike. Mirëpo, hera e parë me dy forma nuk la shije edhe fort të mirë, ngase po për shkak të parregullsive në votimin jashtë vendit, u vonua edhe certifikimi i zgjedhjeve.
Fajin për zvarritjen e procesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ia la po këtij formati të ri të votimit nga jashtë – që u mundësua me Ligjin e ri për Zgjedhjet.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që doli forca e parë politike në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që u rendit e treta parti politike në vend, kanë akuzuar njëra-tjetrën për manipulim të votimeve jashtë vendit.
Madje, partia e Albin Kurtit ka kërkuar anulimin e tërësishëm të votimit përmes postës. Akuzat e tyre ishin që disa kandidatë të LDK-së, që nuk kishin marrë shumë vota në ambasada dhe konsullata dhe në qendrat e votimit në Kosovë, përmes postës morën vota pakrahasimisht më shumë.
Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) refuzoi ankesën e Vetëvendsjes për rivotim me postë, duke e cilësuar si të pabazuar. Ankesën LVV e dorëzoi edhe në Gjykatën Supreme, por as ky institucion nuk ia miratoi.
Në anën tjetër, LDK akuzoi Vetëvendsjen se votimi në ambasada, konsullata e me postë ishte i manipuluar.
Mbi dyshimet për manipulime, reagoi edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e cila autorizoi Policinë e Kosovës për mbledhje të informacioneve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin dhe verifikim të informacioneve, mirëpo në këtë fazë të procedurës për pyetjet e parashtruara nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse do të cenohej procesi hetimor” – thuhet në një përgjigje të Prokurorisë për KALLXO.com.
Blerim Burjani, ish-anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që punoi gjatë viteve 2008-2012, thot se shqetësimi për manipulim të të dhënave të votuesve nga jashtë ka qenë gjithëherë. Por, sipas tij, tani gjasat të ketë parregullsi janë më të mëdha pasiqë është rritur numri i votuesve.
Gjatë periudhës së votimit përmes postës janë pranuar 68,712 pako me fletëvotime, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar për votim përmes postës ishte 84,600. Nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike, por kishin votuar vetëm 15,352, sipas të dhënave të KQZ-së.
Megjithatë, përveç kësaj, një tjetër arsye, sipas Burjanit, është edhe mungesa e monitorimit të procesit për votim jashtë vendit. Sipas tij, personat mund të plotësojnë formularët duke përdorur të dhëna të votuesve.
“Unë kam thënë para zgjedhjeve se mundësi të manipulimeve mund të ndodhin tek votat me postë sepse votuesit jashtë nuk mund të monitorohen, as të vëzhgohen, ku dihet se disa persona mund të plotësojnë të dhëna për votuesit në formular dhe e njohin procesin e përshkrimit të nevojshëm në formular dhe ata plotësojnë shumë formularë për shumë persona që kanë të drejtë vote, por edhe që nuk kanë” – vlerëson ish-anëtari i KQZ-së.
Për shembull, 30 vota në Ambasadën e Kosovës në Zagreb, ku ambasador është Martin Berishaj, nuk janë numëruar fare për shkak se janë tërhequr pa procedurë. Votat e tjera në këtë vendvotim janë numëruar si të gjitha të tjerat, për shkak se procedura ka shkuar në rregull.
Shqetësimi për manipulim me vota ka qenë edhe në të kaluarën, sipas Blerim Burjanit.
Në bazë të përvojës së tij, partitë politike zakonisht i shtyjnë njerëzit e tyre që të angazhohen për të mbledhur sa më shumë vota.
“Kjo ka ndodhë edhe në të kaluarën por numri i votave ishte i vogël. Në vitin 2010 ishin vetëm 2,494 vota me postë. Tash ka shumë votues jashtë. Gjithmonë janë cilësuar si vota të dyshimta nga KQZ dhe shumica e tyre dikur janë shpallur të pavlefshme. Problemet kanë qenë të natyrës teknike dhe manipuluese” – thotë ai.
KALLXO.com ka pyetur Agjencinë për Informim dhe Privatësi për të kuptuar nëse ka pranuar ndonjë ankesë për cenim të të dhënave të votuesve jashtë vendit, por ky insitucion ka konfirmuar që nuk ka pasur ankesa.
“Agjencia nuk ka pranuar asnjë ankesë për keqpërdorim të të dhënave të votuesve në diasporë referuar zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025. Agjencia nuk ka marrë ndonjë njoftim apo të dhënë të regjistruar lidhur me manipulimin e të dhënave të votuesve jashtë vendit” – thuhet në përgjigjen e AIP.
Keqpërdorimet në të kaluarën
Gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, organet e drejtësisë kishin zbuluar një keqpërdorim me të dhëna të votuesve.
Disa persona nga Peja akuzoheshin nga Prokuroria se nga një zyrë në Pejë hapën e-maile fiktive dhe aplikuan duke i keqpërdorur të dhënat e bashkatdhetarëve nga Austria. Votat, sipas Prokurorisë, ishin mbushur në Pejë, ishin dërguar në Austri, nga ku më pas ishin dërguar me postë në Kosovë.
Dosja e hetimit zbulonte se personat e dyshuar kishin keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.
Të pandehurit, sipas aktakuzës, fillimisht kishin siguruar letërnjoftimet e rreth 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa pëlqimin dhe dijeninë e tyre, në mënyrë të kundërligjshme i kanë keqpërdorur letërnjoftimet në procesin e votimit për votuesit nga diaspora.
Mundësitë për manipulim, sipas Blerim Burjanit, janë edhe tani.
“Tash situata është e njëjtë, tash ende ka probleme dhe kërkohen hetime për votat me postë e që vështirë të kryhen për shkak se KQZ nuk ka kontrolle në terren. Pra problemi kryesor tek votimet jashtë vendit janë besueshmëria dhe kredibiliteti pasi mundësitë për manipulim janë gjithmonë të mëdha dhe vështirë të hetohen nga organet e vendit” – vlerëson ish-anëtari i KQZ-së.
Ai ka propozuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë lista të verifikimit për votimet përmes postës në mënyrë që të shmangen manipulimet e mundshme.
“Tash po kërkohet hetim por rezultati i hetimeve mund të jetë i komplikuar sepse KQZ duhet të ketë mekanizëm mbikqyrës për vota me postë. Për shembull në ambasada të grumbullohen para se te vijnë në Kosovë, të ketë listën e regjistrimit të votuesve me postë dhe të dihet verifikohen atje herën e parë dhe përfundimisht të verifikohen kur të arrijnë në QNR” – ka thënë Burjani.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve janë shpallur më 15.03.2025. Certifikimi i rezultateve është paralajmëruar se do të bëhet më 27.03.2025.
Sipas këtyre rezultateve, në zgjedhjet e 09.02.2025 kanë marrë pjesë 966,283 votues, apo 46.54%. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota, apo 42.30%; PDK është renditur e dyta me 196,474, apo 20.95%; LDK e treta me 171,357, apo 18.27%; koalicioni AAK-Nisma me 66,256 vota, apo 7.06%.
Sipas numrit të ulëseve që kanë siguruar në Kuvendin e Kosovës, partitë janë renditur kështu: LVV me 48 deputetë, PDK me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë, Lista Serbe me 9 deputetë, koalicioni AAK-Nisma me 8 deputetë etj.