Punëtoret e KRM 'Uniteti'

Vonesat në paga, punëtorët e KRM 'Uniteti' paralajmërojnë ndërprerje të punës

Kompania Rajonale e Mbeturinave (KRM) “Uniteti” e cila merret me mirëmbajtjen e rrugëve dhe largimin e mbeturinave në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj kanë njoftuar se punëtorët e kësaj kompanie kanë paralajmëruar që do të ndërprejnë punën plotësisht në ditët vijuese, meqë ende nuk i kanë marrë pagat e muajit janar.

“Ju kërkojmë ndjesë qytetarëve për vonesën e sotme në fillimin e kryerjes së shërbimit në Mitrovicë dhe Vushtrri. Kjo ka ardhur pasi që punëtorët kanë hezituar të dalin në punë me paralajmërimin për ta ndërprerë punën plotësisht në ditët vijuese, pasi që akoma nuk i kanë marrë pagat e muajit janar”, njofton KRM “Uniteti”.

KRM “Uniteti” bën të ditur se deri te vonesa disa ditëshe e ekzekutimit të pagave ka ardhur pasi komuna e Mitrovicës dhe Vushtrrisë nuk i kanë kryer obligimet e tyre financiare.

“Deri te vonesa disa ditëshe në ekzekutimin e pagave ka ardhur, pasi që komuna e Mitrovicës dhe Vushtrrisë nuk i kanë kryer akoma obligimet financiare mujore ndaj KRM “Uniteti””, thuhet në njoftim.

KRM “Uniteti” ka sqaruar se komunat e inkasojnë taksën e mbeturinave prej qytetarëve dhe në çdo fillim muaji e paguajnë KRM “Unitetin”.

“Sa për informimin, komunat e inkasojnë taksën e mbeturinave prej qytetarëve, ndërsa në fillim të çdo muaji e paguajnë KRM “Unitetin” për shërbimin e kryer ndaj të gjitha ekonomive familjare. Lusim komunat respektive, që të marrin gjitha veprimet e nevojshme administrative që t’i paguajnë borxhet ndaj KRM “Uniteti””, shpjegon KRM “Uniteti”.