Fotografia zyrtare e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Vjosa Osmani uron Ditën e Kushtetutës: Ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një publikimi në Facebook ka uruar Ditën e Kushtetutës së Kosovës duke thënë se duhet ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin e vendit.

“Sot në Ditën e Kushtetutës, kujtojmë sakrificën e gjatë e të dhimbshme të popullit tonë, në mënyrë që një ditë, në kushtetutën e vendit tonë, të jetësohet ëndrra për të jetuar të lirë. Në përvjetorin e Kushtetutës, sikurse edhe çdo ditë tjetër, duhet veprojmë, të sillemi e të ecim, siç thuhet në aktin më të lartë juridik: ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin, i cili buron nga populli dhe i takon popullit. Urime Dita e Kushtetutës!”, ka shkruar Osmani.

14 vjet më parë, Kosova u bë me aktin më të lartë juridik, dokumentin bazë të shtetësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke i dhënë fund qeverisjes së Kosovës në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244.

17 shkurti i vitit 2008 shënoi Kosovën në hartat politike të shteteve të pavarura ndërsa dy muaj më pas Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila më 15 qershor të po atij viti hyri në fuqi.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë.