Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vjosa Osmani, "sherifja" e re në krye të shtetit

Kosova ka presidentin e gjashtë që nga paslufta, ajo është Vjosa Osmani-Sadriu.

Me 71 vota, nga 82 sa morën pjesë në votim, Osmani-Sadriu do ta ketë një mandat pesë vjeçar në krye të shtetit.

Vjosa Osmani-Sadriu, e cila në zgjedhjet e fundit garoi në listën e partisë së Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, u bë personi më i votuar ndonjëherë në Kosovë, me mbi 300 mijë vota.

Vetëm pak kohë më parë, ajo u shkarkua nga pozitat udhëheqëse nga partia në të cilin e nisi karrierën e saj politike, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Para se të votohej Presidente e vendit, Osmani ushtroi detyrën e shefes së shtetit pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga ky post.

Vjosa Osmani dhe rrugëtimi i saj në LDK

Vjosa Osmani ishte gruaja e parë në Kosovë që drejtoi Kuvendin e Kosovës.

Këtë detyrë Osmani e kishte pranuar me 3 shkurt të këtij viti pasi që nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, mori 65 vota për këtë pozitë.

Përpara se të merrte pozitën e kryeparlamentares, ajo iu fut garës për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

38-vjeçarja nga Mitrovica, ishte e vetmja kandidate grua për kryeministre.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, LDK u radhit e dyta me 206 mijë 516 vota apo 24.548%, ndërsa Osmani mori 176 mijë 016 vota.

Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017, ajo ishte befasia. Edhe pse partia e saj ia kishte dhënë numrin 82 në listën e votimit, Osmani arriti që të marrë 64 mijë 147 vota, duke u bërë kështu gruaja e parë më e votuar në Kosovë.

Vjosa Osmani ka titullin Doktor në të Drejtën Ndërkombëtare dhe tani ligjëron në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Ajo filloi jetën publike si këshilltare e ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe ishte koordinatore e ekipit juridik të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ICJ, në vitet 2009-2010, kur Serbia i kërkoi gjykatës të deklaronte nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në 2008 ishte në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Rrugëtimin e saj politik e ka filluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ku kishte edhe pozitën e nënkryetares së kësaj partie.

LDK ishte partia e parë etnike shqiptare e formuar në Kosovë, e themeluar në vitin 1989, kur Kosova ishte akoma pjesë e Serbisë.

Nën udhëheqësin e saj të parë, Ibrahim Rugova, LDK ishte udhëheqëse e rezistencës etnike shqiptare ndaj regjimit brutal të Serbisë dhe drejtuesit të saj Slobodan Millosheviq, duke avokuar kundër dhunës dhe duke e bërë instalimin e sistemeve “paralele” të qeverisë.

Në zgjedhjet e para të lira të mbajtura në Kosovë pas përfundimit të luftës për pavarësi ndaj Serbisë, në vitin 2000, LDK befasoi shumëkë duke fituar kontrollin mbi shumicën dërrmuese të komunave.

Me gjithë sharmin dhe magjepsjen që vinte bashkë me emrat e luftëtarëve të kohës së luftës, LDK mposhti partitë e udhëhequra nga ish komandantët guerilë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), të tilla si Partia Demokratike e Kosovës, PDK-ja, e Hashim Thaçit dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK-ja, e Ramush Haradinajt.

LDK dominoi politikën kosovare deri në zgjedhjet e vitit 2007, kur, pas vdekjes së Rugovës dhe rritjes së mosmarrëveshjeve të brendshme, ajo humbi terren kundrejt PDK-së e cila po shënonte rritje njëkohësisht.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 partia ku bënte pjesë Osmani – Sadriu doli e dyta, dhe fitoi 28 ulëse, një më pak sesa partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje.

Vjosa Osmani zgjidhet Presidente e Kosovës

www.kallxo.com