Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Vjosa Osmani për Ditën e Europës: Izolimi i Kosovës, në kundërshtim me vlerat e BE-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 9 majit – Ditës së Europës ka deklaruar se mbajtja e “popullit më proevropian”, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me vlerat e mishëruara të BE-së.

Sipas saj, edhe çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është poashtu në kundërshtim me këto vlera.

Përmes një deklarate, Osmani ka shtuar se sot në Ditën e Europës rikthehet në kujtesë edhe një herë se sa e rëndësishme dhe produktive është paqja mes popujve e shteteve dhe orientimi drejt një të ardhmeje të përbashkët europiane.

“Duke promovuar fillimisht bashkëpunimin tregtar e pastaj edhe diversitetin kulturor e etnik, Bashkimi Evropian u shndërrua në projektin që jetësoi zhvillimin ekonomik, krijoi mirëqenie për qytetarin dhe u shndërrua në entitetin që u bë sinonim i paqes dhe i stabilitetit në botë. Andaj, Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarsimin në Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo.

“Jetësimi i vlerave që i ka mishëruar Bashkimi Evropian në themelet e tij janë sot po aq të rëndësishme sikurse edhe 70 vjet më parë. Por, mbajtja e popullit më proevropian, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me po këto vlera. Çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është poashtu në kundërshtim me këto vlera”, ka shtuar Osmani.

Kryeparlamentarja e Kosovës ka shtuar se shpreson që në BE të mbizotërojnë mendjet e ndritura.

“Shpresojmë që sot, 70 vite pas, e përherë në BE të mbizotërojnë mendjet e ndritura, sikurse ajo e Robert Schuman dhe të punohet për paqe, stabilitet e solidaritet e të bashkohemi kundër atyre që promovojnë urrejtje, ndarje e diskriminim!​”, thuhet në deklaratën e saj.

Dita e Europës edhe këtë herë e gjenë Kosovën pa liberalizim të vizave dhe të mosnjohur nga pesë shtete anëtare të BE-së.