Vjosa Osmani merr përkrahje edhe nga Shqipëria, Rudina Hajdari i del në mbrojtje

Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Rudina Hajdari, përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’, i ka dalë në mbrojtje kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila dje është shkarkuar nga pozitat udhëheqëse të LDK-së.

Hajdari ka shkruar se e admiron Osmanin për kurajon e saj, ndërsa ka theksuar se edhe ajo e ‘ka kaluar në kurriz furinë e baltës dhe mërisë së politikës së burrave të cilët e urrejnë mendimin ndryshe’.

“Por ajo që kam mësuar dhe jam e sigurt ju e dini shumë mirë është se me rëndësi në politikë është vetëm besnikëria ndaj parimeve dhe elektoratit. Qëndro e fortë dhe ju uroj shumë suksese”, ka shkruar deputetja Hajdari.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së djeshme e ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së kësaj partie.

Kështu ka bërë të ditur LDK përmes një njoftimi për media, ku ka treguar se për këtë kanë votuar 70 anëtarë, 16 kundër dhe 9 kanë abstenuar.

“Për sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”, thuhet në njoftim të LDK-së.