Vjosa Osmani: Ata që lobuan për ndarje me paratë e taksapaguesve, duan të na qeverisin përsëri

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj hulumtimit të BIRN lidhur me pagesën prej 168 mijë euorsh nga Ministria e Integrimit Evropian gjatë vitit 2019 për të promovuar idenë e “modifikimit të kufijve”.

Osmani në rrjetin e saj social Twitter u shpreh se qeveria e kaluar ka paguar për të shpërblyer Serbinë me territor të Kosovës dhe se disa prej këtyre që e bënë këtë turp duan të kthehen në qeveri.

“Qeveria e kaluar shpenzoi paratë e taksapaguesve për të lobuar ‘modifikimin e kufijve’, si për shembull për ta ‘shpërblyer’ Serbinë me territor të Kosovës, për veprimet e saj gjenocidale kundrejt njerëzve tanë. Disa prej atyre që udhëhoqën këtë turp duan të kthehen dhe të na qeverisin përsëri,” u shpreh Osmani.

Sot gjatë ditës BIRN publikoi një hulumtim ku në vitin 2019, taksapaguesit e Kosovës kanë alokuar shumën prej 168,000 eurosh për një kompani marrëdhëniesh me publikun të quajtur ‘Majorelle PR & Events’ me seli në Paris përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Një prej pak rezultateve konkrete të marra në këmbim të 168,000 eurove ishte një raport pesëfaqësh me një anglishte të dobët të cilën kjo kompani e kishte adresuar te Qëndrim Gashi, Ambasadori i Kosovës në Francë. Raporti është i datës 20 shtator 2019.