Vizitat familjare për Festën e Bajramit, rrezik i përhapjes së coronavirusit

Mbi 100 raste të reja me coronavirus janë shënuar çdo ditë për gati më shumë se dy javë në Kosovë.

Si rrezik potencial i vazhdimit të këtij trendi dhe i rritjes së numrit të të infektuarve me coronavirus, po shihet edhe Festa e Kurban Bajramit.

Ish-drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramdani tha për KALLXO.com se ekziston mundësia e rritjes së rasteve si shkak i kësaj feste. Ai bëri thirrje që vizitat familjare të reduktohen.

“Një njeri që ka një vetëdije, që jemi në një kohe lufte, nuk kishte me pas vullnet e as dëshirë të shkojë me këtë situatë as të motra e as ë vëllau, unë personalisht nuk do të shkojë te motra e vëllai im. Mundësia është e madhe, në qoftëse nuk zbatohen masat. Kosova është në një situatë shumë të rëndë, një situatë shumë shqetësuese”, tha ai.

Ramadani tutje shtoi se ndonëse masat kundër COVID-19 janë prezentuar tashmë nga Insitituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, atyre jo çdo herë iu përmbahen qytetarët.

“Është një rrezik i mundshëm për një zgjerim dhe rritje të kësaj pandemie botërore dhe mendoj që këshillat për distancë e reduktojnë mundësinë e infektimit  por pyeja është se sa i respektojnë qytetarët kur shkojnë për vizita i respketojnë aty, kjo është një pyetje e madhe”, thekson ish drejtori i Infektivës.

Në Komunën e Vushtrrisë gjatë Fiter Bajramit, në muajin maj kishte pasur një rritje të madhe të numrit të personave të prekur me coronavirus.

I pari i kësaj komune, Xhafer Tahiri kishe thënë se ndejat në fund të ramazanit dhe vizitat për Bajram kishin rritur numrin e rasteve me COVID-19. Madje ai kishte thënë se numri po vazhdon të rritet sepse po vazhdojnë vizitat.

“Numri më i madh i infektimeve po ndodhë brenda familjeve për shkak të vizitave familjare. Tashmë është konfirmuar që ndejat në fund të Ramazani dhe vizitat për Bajram e kanë rritur numrin e rasteve. Numri po vazhdon të rritet sepse po vazhdojnë vizitat”, kishte shkruar Tahiri në facebook.

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës sot gjatë ditës ka marrë vendim që nesër të mos falet namazi i “Kurban Bajramit” si rrezik i përhapjes së virusit COVID-19.