Vitin e kaluar Ministria e Arsimit pagoi mbi 29 mijë euro shtesë për mospagesë me kohë në emër të procedurës gjyqësore/përmbarimore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në vitin 2022 është detyruar të paguajë shpenzime shtesë si rezultat i pagesave me vendime gjyqësore përmbarimore për shkak të mosrealizimit të pagesave me kohë nga Ministria dhe procedimit të tyre përmes gjykatave.

Kjo është bërë e ditur në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Arsimit për vitin 2022.

Sipas Auditorit, gjatë vitit 2022 me vendime gjyqësore/përmbarimore ishin ekzekutuar pagesa në vlerë 144 mijë e 594 euro. Auditori ka theksuar se kanë analizuar 22 pagesa në vlerë 98 mijë  e 953 euro, ku kanë vërejtur se shpenzimet shtesë në emër të procedurës gjyqësore/ përmbarimore ishin 29 mijë e 316 euro.

“Këto pagesa ishin kryesisht për paga jubilare dhe shujta sipas kontratës kolektive të stafit arsimor të programeve që janë pjesë e Ministrisë. Mos realizimi i pagesave me kohë nga Ministria dhe procedimi i tyre përmes gjykatave/përmbarimit ka shkaktuar kosto shtesë”- thuhet në raport.

Auditori ka shpjeguar se vonesat në realizimin e pagesave në afatin e përcaktuar kanë ndikuar që Ministria të jetë subjekt i padisë, duke shkaktuar shpenzime shtesë përmbarimore përtej borxhit kryesor.

“Ministrja duhet të sigurojë se të gjitha obligimet paguhen brenda afatit në mënyrë që të shmangen kostot shtesë si pasojë e pagesave me procedura përmbarimore apo gjyqësore”-ka qenë rekomandimi që e ka dhënë Auditori.

Sipas këtij raporti, menaxhmenti i MASHTI-t është pajtuar me këtë gjetje.

Raporti i auditimit për PFV-të të vitit 2021 të MASHTI-t ka rezultuar në 11 rekomandime kryesore. Ministria kishte përgatitur një plan veprimi ku paraqitet mënyra se si do t’i zbatojë rekomandimet e dhëna.

ZKA ka bërë të ditur se deri në fund të auditimit për vitin 2022, shtatë rekomandime ishin zbatuar, ndërsa katër nuk ishin zbatuar.