Foto: Komuna e Vitisë

Viti, QKMF dhe shkollat me aktivitete vetëdijesimi për mbrojtje nga coronavirusi

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Komunën e Vitisë në koordinim me Institutin Rajonal të Shëndetit Publik në Gjilan, si dhe në bashkëpunim me shkollat e kësaj komune ka mbajtur sot aktivitete me qëllim vetëdijesuese për qytetarët e asaj ane për mbrojtje nga coronavirusi, thuhet në njoftimin e komunës së Vitisë.

“Me qëllim të informimit të popullatës për mbrojtje nga coronavirusi, QKMF në viti në koordinim me Institutin Rajonal të Shëndetit publik në Gjilan, kemi filluar shpërndarjen e informatave dhe posterëve edukues nëpër shkollat e komunës së Vitisë”, ka bërë të ditur drejtoresh e QKMF-së Vjollca Kadolli – Halili.

Tutje, ajo thotë se është formuar edhe ekipi për menaxhimin e situatës epidemiologjike në nivel komunal. Ky ekip përbëhet nga mjekë epidemiologë, mjekë familjarë, inspektorë sanitarë, veterinarë e të tjerë.

Gjithashtu, Halili thotë së janë formuar ekipe kujdestare nga mjekë dhe infermierë si dhe po mbahen ligjërata me staf se si të sillemi në rast se një person preket nga ky virus.

QKMF në Viti ka bërë apel tek qytetarët që të shmangin kontaktet e ngushta me njerëz që vuajnë nga infeksioni, t’i shmangen qëndrimit në objektet spitalore, të mos frekuentojnë vendet e mbyllura si dhe t’i pastrojnë duart sa më shpesh.