Viti i gjatë për infermierët: Mes lodhjes, vdekjes dhe shpresës

Në mes të fluksit të madh të pacientëve, punës pa pushim, mërzisë për humbjet njerëzore e lumturisë për pacientët e shëruar, këto janë disa nga përjetimet e infermierëve kosovarë gjatë vitit pandemik.

12 muaj më parë, në dhjetor të vitit 2019, ekspertë të shëndetit publik në Kinë ishin alarmuar për disa raste të pacientëve të sëmurë nga një pneumoni e pazakontë. Në fund të muajit shkencëtarët konfirmuan se pacientët ishin infektuar me një koronavirus të ri, i cili më vonë do të njihej me emrin Sars-Cov-2 ose sëmundja Covid-19 dhe do ta pllakoste tërë botën. 

Me 13 mars,  në Kosovë, vetëm dy ditë pasi COVID-19 u shpall pandemi globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, u konfirmuan dy personat e parë pozitiv me COVID-19. 

Shqipe Kadriu. Photo- Urim Krasniqi-Prishtina Insight.

Shqipe Kadriu, sapo kishte përfunduar ndërrimin e natës në Klinikën Infektive ku punon si infermiere mbi 20 vjet dhe një kafe me shoqërinë e saj atë ditë do të ishte e fundit jashtë hapësirës së Qendrës Klinike Universitare për këtë vit.

Klinika Infektive ku punon 50 vjeçarja, është fronti i parë ku nga marsi deri sot janë trajtuar mbi 2 mijë pacientë të hospitalizuar dhe mijëra të tjerë ambulantorë të sëmurë me koronavirus në Kosovë.

Ditët e para të pandemisë ajo i përshkruan me trishtim të madh. Nga banesa e saj, ajo udhëton në këmbë deri në klinikë dhe gjatë muajve mars-maj kur Kosova ishte në mbyllje totale, Shqipja ishte nën kujdesin e qenve endacak. 

“Ishte orë policore, Prishtina dukej si qytet fantazmë,” rrëfen ajo. “Kishte qen endacakë dhe një prej tyre më ka përcjell vazhdimisht kur shkoja në punë. Nën përcjelljen e tij ndihesha e sigurtë”, thotë Shqipja.

Përveç kësaj, muajt e ardhshëm do të bëheshin rrezik për shëndetin e infermierëve e stafit tjetër mjekësor.

Në Kosovë janë infektuar me Covid-19 mbi 1,250 infermierë, mami dhe teknikë, prej të cilëve nëntë kanë ndërruar jetë. Infermierët e Infektivës janë profesionistët e parë shëndetësor që janë infektuar me Sars-Cov-2. Kanë qenë momente të rënda, shprehet Shqipja me lot në sy, kur koleget e saj ishin shndërruar në paciente dhe ishin në gjendje të rëndë me oksigjeno terapi.

Deri në maj ishin infektuar pesë infermiere, në mesin e tyre edhe një 60-vjeçare e cila nuk kishte pranuar të largohej nga klinika ndonëse SHSKUK kishte marr vendim që t’i transferonte punonjësit mbi 60-vjeç në klinika ku nuk rrezikoheshin nga COVID-19. 

Fundi i majit dhe rënia e numrit të pacientëve ua kishte lehtësuar punën. Por kjo qetësi nuk do të zgjaste shumë. Dalja nga izolimi dhe hapja e kufijve në fillim të qershorit bëri që shumë kosovarë të infektohen me COVID-19. Klinika Infektive u mbush dhe numri i pacientëve në nivel kombëtar arriti mbi 700.

Kësisoj u rrit edhe numri i viktimave. Vetëm natën e katër korrikut në Infektivë ndërruan jetë 6 pacientë, katër prej të cilëve në një periudhë kohore shumë të afërt me njëri-tjetrin. Vdekja e pacientëve ngriti dyshime për çka nisën hetime edhe organet e rendit. Atë natë Shqipja ishte në mesin e stafit kujdestar.

“Atë natë unë nuk e kam përjetuar kurrë në jetë, ka qenë shumë e rëndë dhe shpresoj të mos përsëritet kurrë. Edhe ditët në vazhdim la pasoja të rënda tek unë, trembesha në gjumë dhe kisha ankthe. Atë natë vetëm një gjë e di, nuk kemi menduar për veten, nuk jemi ruajtur për veten”.

Shqipja nuk dëshiron të flas më shumë për këtë ngjarje. Sa për faktin se rasti është ende nën hetime, aq më shumë edhe për trishtimin që ia shkakton. Dyshimet e para për shkakun e këtij rasti janë lidhur me mungesën e kapacitetit të oksigjenit. 

Me gjithë vështirësitë e mundin për t’iu shërbyer pacientëve dhe pa pushim vjetor, Shqipja dhe kolegët e saj nuk janë dorëzuar asnjëherë. Edhe në momentet më të rënda, kur nga lodhja e tepërt janë detyruar të marrin infuzione, Shqipja thotë se nuk janë penduar për profesionin që kanë zgjedhur.

“Momentet më të mira janë kur pacientët shërohen dhe lirohen nga klinika. Çdo humbje gjatë pandemisë mund të kompensohet, por jo njerëzit”.

Deri më sot kanë humbur jetën 1,240 persona ndërkohë që mbi 48,300 persona janë infektuar me virusin vdekjeprurës.

Shqipja ka edhe një profesion tjetër. Ajo është dramaturge. Para pandemisë ajo ka qenë vizitore e rregullt e teatrit dhe kinemasë. Ka shkruar skenar të filmave dhe shfaqjeve, e poashtu ka punuar një kohë edhe si gazetare. 

Teatri dhe filmat janë pjesa që e mbushin jetën time. Nuk kam pasë kohë të blej tituj të ri që nga fillimi i pandemisë,” thotë ajo.

Shpresë për rikthim të normalitetit

Dashurije Shehu, punon si kryeinfermiere në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Ferizajt. 

Ndonëse kanë trajtuar raste të rënda, thotë se është shumë e lumtur që nuk kanë pasur raste të vdekjes asnjëherë në këtë repart. Dëshira e saj e vetme është rikthimi në këtë gjendje.

Dashurije Shehu, the chief pediatric nurse at the regional hospital in Ferizaj. Photo- Urim Krasniqi-Prishtina Insight.

Kjo dëshirë vjen nga dhimbja që i shkaktoi COVID-19. Ajo dhe koleget e saj që nga 28 qershori nuk pranojnë më fëmijë në repart, por të rritur të sëmurë me koronavirus. 

“Asgjë nuk po na bën puna, çka po na bën vdekja e pacientëve,” thotë 45 vjeçarja. 

“Është shumë e rëndë kur një i sëmurë në momentet e fundit të jetës i mban shpresat tek ti. E sheh në sytë e tij ymytin që e mban, por ti e din që është i pashpresë për shkak të gjendjes së rëndë dhe nuk mund të bësh asgjë”, thotë infermierja Shehu.

Shehu dhe koleget e saj kanë pas mundësi të marrin vetëm nga pesë ditë pushim vjetor, por nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë. Fluksi i madh i pacientëve të sëmurë me virus në këtë spital e ka vështirësuar punën e infermierëve edhe për shkak të numrit të vogël të stafit. Prej korrikut deri më sot në këtë spital janë hospitalizuar rreth 630 pacientë, ndërsa mbi 2 mijë janë trajtuar në ambulantë.

Illustration- Jete Dobranja for PI.

Por gjithsesi këto vështirësi nuk e kanë ndal asnjëherë Shehun e as nuk e kanë bërë pishman për profesionin që ka. Fatmirësisht ajo nuk është në mesin e 44 infermierëve të infektuar. “Gjatë verës me temperatura të larta, ka pas raste kur më është tharë fyti e terë buzët saqë nuk kam mund të nxjerr as zë nga goja. Uniforma është bërë ujë nga djersët për shkak të veshjeve mbrojtëse.”

Dashurija e cila kujdeset edhe për nënën e saj 66 vjeçare, thotë se puna e ka kufizuar shumë në kontaktet familjare. Asaj i mungojnë ditët normale të punës dhe jetës në përgjithësi. 

“Më së shumti po më mungon ajri. Kur po dal nga puna dhe po marr ajër, po më duket si botë tjetër. Shpresoj t’i kthehemi normalitetit dhe mos na raftë me harru”.

Infermierët vazhdimisht janë ankuar për kushtet e punës dhe rrogat e vogla. Një infermier në Kosovë paguhet afër 400 euro në muaj. Ndërrimet 12 orëshe për infermierë paguhen me rreth 18 euro. 

Shehu thotë se për gjithë këtë mund e sakrificë nuk ka kompensim tjetër, përveç kur shërohen pacientët dhe lirohen nga spitali. “Ne familjarizohemi me pacientë sepse qëndrojnë deri në një muaj, dhe nuk ka ndjenjë më të mirë sesa kur rikthehen pas shërimit dhe të falënderojnë për kujdesin”, thotë ajo.

Infermierja e dy ‘luftërave’

Pandemia COVID-19 është lufta e dytë për infermieren e Qendrës së Mjekësisë Familjare Covid në Prishtinë Besime Dobratiqi. Ajo kishte shërbyer me profesionin e saj edhe në kohët e vështira të luftës në Kosovë. Bashkë me të ndjerin Dr. Muhamet Ademaj, kishte punuar në ambulantën e fshatit Barilevë. 

Besimja kishte ndihmuar personat e sëmurë nëpër fshatra duke iu dhënë terapi, si dhe njerëzve të plagosur, civil e ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

“Tash po përballemi me një luftë tjetër, por unë nuk iu kam frikësuar asnjëherë profesionit. Nëse do të kisha mundësi sërish do ta zgjedhja infermierinë. Për mua është kënaqësi me iu ndihmu njerëzve të sëmurë, nuk e kursej vetën për asgjë”, thotë ajo me vendosmëri.

Kryeinfermierja e QMF 7 ku shërbehen me terapi pacientët e sëmurë me COVID-19 në komunën e Prishtinës që nga fillimi i muajit gusht, kishte shërbyer edhe me ekipet mjekësore në kufi dhe në karantinë në Qendrën e Studentëve. Në këtë qendër u vendosën dhe qëndruan nga 14 ditë mbi 1,500 qytetarë të rikthyer në Kosovë nga data 18 mars deri më 29 qershor, nga të cilët 11 kishin rezultuar pozitiv me COVID-19.

Besime Dobratiqi. Photo- Urim Krasniqi-Prishtina Insight.

QMF 7 është institucioni i vetëm në kryeqytet ku pacientët e sëmurë me koronavirus mund të marrin terapinë e përshkruar nga specialistët. Aty kryhen deri në 300 terapi brenda ditës, me kapacitet prej 23 shtretërve. Deri nëntor stafi mjekësor ka kryer mbi 16,500 mijë shërbime për COVID-19.

Dobratiqi thotë se asnjëherë nuk janë frikësuar nëse do të infektoheshin nga pacientët. Frikën më të madhe e ka pas nëse virusin do ta transmetonte tek familja e saj, ku jeton me burrin, vajzën dhe vjehrrit. 

Por profesioni është shkaku që asaj i ka munguar një gjë shumë e çmueshme në jetën e saj. “Më së shumti më ka munguar përqafimi i vajzës. Sa herë shkoj në shtëpi ajo hidhet në krahët e mi. Përkundër se më dhemb shumë, unë detyrohem t’ia kujtoj se nuk mund të më përqafoj. ‘Ah mami po harroj’, më thotë ajo”.