Foto: Deputeti Enis Kervan në Facebook
Kosova edhe një hap më afër Këshillit të Europës
Anëtarët e delegacionit të Kosovës në Këshill të Europës kanë njoftuar që është votuar në favor të Kosovës në mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka njoftuar se me 31 vota për dhe 4 kundër është miratuar raport-opinioni i raportueses për Kosovën në Këshillin e Europës, Dora Bakoyannis.
“Fitore…. Hapi i parë u kry, edhe dy hapa janë dhe kryhet përfundimisht”- ka shkruar Gashi në Facebook.
Edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi, ka thënë se me këtë hap Kosova është më afër anëtarësimit në Këshillin e Europës.
“Raporti u votua në favor të Republikës së Kosovës”- ka shkruar ajo në Facebook.
Kurse, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka uruar nga Parisi për këtë lajm.
“Në Komisionin për Çështje Politike po diskutohet Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës. Deputetët janë të ndarë, në njërën anë Republikës së Serbisë, kundërshtojnë dhe nga ana tjetër pothuajse një konsensus në mbështetje të anëtarësimit të Republikës së Kosovës”- ka shkruar ai në “X”.
Të njëjtin konfirmim për votat në favor të Kosovës e ka dhënë edhe deputeti Enis Kervan.
Për këtë zhvillim në Paris të Francës ka reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ditë më parë, raportuesja Bakoyannis rekomandoi një “përgjigje pozitive” ndaj kërkesës së Kosovës për t’iu bashkuar organizatës për të drejtat e njeriut në një raport të 22 marsit.
Në draft-raportin, që ka parë BIRN, Bakoyannis shkruante se anëtarësimi i Kosovës “do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.
Mirëpritja e Kosovës në gjirin e Këshillit të Evropës, megjithatë, nuk është fundi, por fillimi i një procesi, tha Bakoyannis.
“Shpresoj që… Kosova do ta shfrytëzojë mundësinë e anëtarësimit për të konsoliduar demokracinë dhe kulturën e saj demokratike, për të fituar besimin dhe besnikërinë e të gjitha komuniteteve dhe për t’u bërë agjente e stabilitetit në rajon,” – shtoi ajo.
Shanset e anëtarësimit të Kosovës u rritën javë më parë kur Qeveria e Kosovës i dha fund ngërçit tetëvjeçar dhe i dha 24 hektarë tokë Manastirit të Deçan.
“Zbatimi është një shenjë e prekshme e angazhimit të qeverisë për të vepruar në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, pavarësisht nga konsideratat politike”, thuhet në raport.
Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12.05.2022.
Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën, Bakojanis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.
Këshilli i Evropës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.
Pranimi në këtë organizatë të bëhet me votimin e shumicës prej 2/3.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.