Versioni i të dyshuarit për shpërthimin në Tregun e Kafshëve në Prizren | Foto: KALLXO.com

VIDEO - Versioni i të dyshuarit – Si ndodhi konflikti që çoi deri te shpërthimi në tregun e kafshëve në Prizren

Në Gjykatën e Prizrenit u mbajt sot seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për Remzi Murtezin, i cili po dyshohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm lidhur me shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren.

Fillimisht kërkesën e shtjelloi prokurori i rastit Labinot Jetishi, ndërsa në këtë seancë u dëgjua edhe versioni i vetë të dyshuarit Murtezi.

Sipas Murtezit, të dëmtuarit e kishin sulmuar me shufër metalike gjersa kishte qenë duke i shkarkuar demat nga kamioni së bashku me vëllain e tij, Xhevdet Selimi.

Ky i fundit është i dyshuar në këtë rast por akoma nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Katër – pesë copa i kemi zbrazë nga kamioni dhe në atë moment e kam dëgjuar një zënkë jashtë, kam fillu me dalë prej kamionit dhe aty më kanë pritur [të dëmtuarit] dhe menjëherë më kanë sulmuar duke më goditur me shufër të hekurit dhe në atë moment jam alivanosur” – tha i dyshuari në Gjyktë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sylë Hoxha, i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij t’i shqiptojë ndonjë masë më të butë të sigurisë, siç është arresti shtëpiak.

Ai shtoi se Murtezi do ta respektojë një masë të tillë duke marrë parasysh edhe lëndimet e pësuara nga ngjarja.

“I mbrojturi im përveç që nuk ka marrë pjesë në këtë akt aspak të dëshirueshëm por edhe të kundërligjshëm i cili ka ndodhur në tregun e kafshëve në Prizren, ky megjithatë gjatë hetimeve do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe do të kontribuojë në zbardhjen e këtij rasti” – tha avokati  Sylë Hoxha.

Sipas prokurorit Labinot Jetishi, dy të dyshuarit, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarit, në bashkëpunim me Xhevdet Selimin i cili akoma nuk është arrestuar, aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes i cili kishte fuqinë e përhapjes së pakontrolluar.

Përmes këtij shpërthimi të dëmtuarve A.S, B.S, B.P, M.B N.B, M.S, A.M, F.S dhe B.V kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore.

Mjeti shpërthyes, sipas Prokurorisë, mbetet ende i panjohur.

Nga këto veprime të të akuzuarve Prokuroria tha se është shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve prandaj në këtë fazë Prokuroria konsideron se ekziston dyshimi se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Këtë dyshim Prokuroria ka deklaruar se e bazon në raportet policore, deklaratat e dëshmitarëve si dhe raportet mjekësore.

VIDEO – Çka tha Prokurori në Gjykatë për rastin e shpërthimit në “Tregun e Kafshëve” në Prizren