Foto: KALLXO.com

VIDEO - Verë e bereqetshme për fermerët e Suharekës

Vera për fermerët e Suharekës ishte mjaft e bereqetshme, duke qenë se ata janë ndarë të kënaqur me prodhimin e edhe me çmimet e produkteve që kultivuan këtë vit.

Besar Kryeziu nga kjo komunë thotë se suksesi më i madh i fermerëve në vend është shënuar këtë vit.

“Viti 2023 mundemi me thanë është vit i fermerëve.  Çmimet kanë qenë shumë të mira, prodhimi ka qenë i mirë dhe viti 2023 është vit i fermerëve” – ka thënë Kryeziu i cili merret me kultivimin e perimeve.

Ai ka treguar se për këtë vit kërkesat më të mëdha për eksport ishin për domate, përderisa tani është duke kultivuar fidane dhe tranguj me ndihmën e mjeteve të specializuara bujqësore.

“Është një prej serrave më të specializuara, me teknologji më të re të ujitjes, të hijezimit, d.m.th. fidanet që do të prodhohen këtu do të prodhohen me një cilësi shumë të mire, edhe me  çmim” – është shprehur ai.

Edhe për Idriz Vocin, i cili gjithashtu  merret me kultivimin e perimeve, ky vit u karakterizua me rendimente të mjaftueshme dhe me çmime të kënaqshme në tregun e shitjes.

“Gati pothuajse një mesatare është, si në vitet e tjera, në vitet e tjera kemi pasë rendiment më shumë, edhe  çmimet i kemi pasë… por në treg i kemi pasë çmimet më të lira. Sivjet e kemi pasë tregun më të fuqishëm, por i kemi pasë edhe pesticidet, këto plehrat kimike, d.m.th. të cilat kanë pru një barazim peshe” – ka thënë Voci.

Veprimtaria bujqësore të cilën e ushtron që nga viti 2009, Besar Kryeziut i ka mundësuar edhe përfitimin e granteve bujqësore nga Komuna e Suharekës dhe po ashtu nga Ministria, për të cilat thotë se i  kanë ndihmuar në prodhimin e fidaneve dhe perimeve që ai kultivon.

Në biznesin e tij ai ka të punësuar 7 punëtorë sezonalë, të cilët janë të angazhuar për gjashtë muaj të vitit.

Bujkut suharekas kultivimi i perimeve i ka sjellë suksese dhe përfitime ndër vite.

“Për mua personalisht, nëse nuk ish kanë kjo punë, nuk isha këtu. Në fillim kur kam fillu, kam fillu me një qëllim që me ecë, me punu me këtë punë, m’u avancu me këtë punë, mos me ikë jashtë. Kryesorja është me ba punë në vendin tënd ku je. Sadopak të jetë e mire, edhe sadopak të jetë e keqe, por kryesorja je në vendin tënd, por kryesorja është që je në vendin tënd dhe mundesh me ba. Nuk është që s’ka edhe këtu, me punë çdo send arrihet” – është shprehur Kryeziu.