VIDEO - Shefqet Riza: Qysh është e mundur me qenë më të vlefshëm kriminelët, sesa një polic

Gjykata e Prishtinës të premten me datë 03.05.2024 ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 25 vjet burg Enver Sekiraqën për shtytjen në vrasjen e policit të forcave speciale  Triumf Riza në vitin 2007.

Babai i Triumfit, Shefqet Riza, palë e dëmtuar në këtë procedurë e njëkohësisht përcjellës i pandarë i gjykimit, përmes një prononcimi për media ka shprehur pakënaqësinë e tij.

“Qysh është e mundur që në këtë shoqërinë tonë më të vlefshëm me qenë kriminelët, sesa një polic që është në mbrojte të ligjit dhe shtetit. Një polic që është i shpallur hero pikërisht për luftën kundër bandave kriminale” – tha Shefqet Riza.

Ai e quajti të ulët dënimin prej 25 vitesh që iu shqiptua sot Sekiraqës.

“Natyrisht se është dënimi i ulët se ky është vrasës kryesor nuk janë të tjerët, tjerët ky i ka nxitë.” – tha Riza.

Madje i njëjti tërhoqi paralele historike lidhur me Sekiraqën.

“Hitleri nuk e ka vra askënd, por Hitleri i ka nxitur tjerët me bo krime kundër njerëzimit, ky është fajtori kryesor aty, ka qenë dashtë të marrë gjykimin e merituar.”– tha Shefqet Riza.

Përveç se i pakënaqur me vendimin, Riza bëri të ditur edhe humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë.

“Qeto gjykata i kemi, nuk kemi tjera. Për këtë shtet kemi luftu, unë vazhdimisht i kam pranuar gjykatat tona” – tha ai.

“Nuk kam besim hiç më, se Gjykata e Apelit i ka krijuar krejt problemet, duke e kthyer për kurrgjë hiç, gjoja për çështje procedurale, gjoja për mos-administrimin e mirë të fakteve, për pallavra e ka kthyer. Këto janë lojëra ping-pong mes gjykatave.” – tha Shefqet Riza.

Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, është shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vite burgim. Mirëpo ajo çka rezultoi të jetë sfiduese për drejtësinë është marrja e një verdikti lidhur me akuzat për shtytjen në këtë vrasje.

Një gjykim e dy rigjykime më pas, Enver Sekiraqa për herë të tretë është dënuar për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, kësaj here me 25 vite burgim.

Vendim ky i marrë të premten më 03.05.2024 nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda i kryesuar nga Agim Kuqi, me anëtarët Ngadhnjim Arrni e Medije Bytyqi.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës i nisur në vitin 2014 ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007. Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Dënohet për herë të tretë Enver Sekiraqa

17 vite nga vrasja e Triumf Rizës, përfundon me epilog dënues gjykimi i tretë ndaj Enver Sekiraqës