VIDEO - Qytetari ankohet se Komuna dha pronën në shfrytëzim për të cilën janë në gjyq për kompensim

Një familje nga Drenasi po kundërshton Komunën për dhënien në shfrytëzim të një prone në hyrje të qytetit, nën pretendimin se me këtë pronë ende janë në gjyq për kompensimin e saj.

E gjithë historia, daton rreth katër dekada më parë. Familja Osmani thotë se në vitin 1976, ia kishin dhënë Komunës së Drenasit pronën prej 1.6 hektarëve për realizimin e një projekti.

Përfaqësuesi i familjes, Afrim Osmanit thotë se projekti nuk u jetësua kurrë, e as nuk morën asgjë në këmbim të saj.

Që atëbotë, ata kishin kërkuar kthimin e pronës te familja, por në mungesë të rrugëve ligjore për këtë, familja Osmani nga viti 2014 kërkon kompensimin e pronës.

“Në vitin 1976, Komuna e Gllogovcit ia ka marr pronën gjyshit tim, Aliut, axhës tim Zenelit dhe kushëririt Habib Osmani, pronë kjo në hyrje të Drenasit më sipërfaqe 1 hektar e 60 ari afërsisht. Marrëveshja për kompensimin e kësaj prone nuk është arritur asnjëherë, për këtë ekzistojnë edhe shkresat e lëndës. Jemi mundu disa herë përmes proceseve gjyqësore duke prezantuar dokumentet, duke u mundu me mbrojtë të drejtën tonë, mirëpo përkundër kësaj, Komuna e Drenasit e ka bartë pronën në emër të vetin edhe pa kompensim edhe s’ka arrit asnjëherë më bë përcaktimin e vlerës së kompensimit edhe s’është arritur asnjë marrëveshje prej asaj periudhe”, shprehet Afrim Osmani, përfaqësues i familjes.

Afrim Osmani – Foto:KALLXO.com

Lënda për këtë pronë që nga viti 1976 deri më tani ka kaluar në tri shkallë të gjykatave, në atë themelore, të apelit e në supreme.

Së fundmi, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar se prona kishte qenë në pronësi të familjes Osmani në vitin 1976, derisa përmes një aktvendimi të Drejtorisë për Ekonomi dhe Punë Komunale, në atë kohë, ishte shpronësuar por pronarët e tokës nuk ishin marrë vesh për lartësinë e çmimit të kompensimit.

“Pas luftës përmes Gjykatës kemi kërkuar prapë de-eksproprijimin e pronës. Nga gjykata në Drenas deri në Gjykatën Supreme, kemi marrë gjithmonë përgjigje negative për shkak se nuk ekziston ligji për de-eksproprijim – për kthimin e pronave. Ndërsa, nga viti 2014 lënda është në Gjykatën e Drenasit, ku kemi kërkuar kompensimin e pronës, pasi që është marrë atëherë le të na kompensohet. Gjyqtari pa mbajtur fare takim me palët, ka marr vendim se kërkesa është vonuar dhe nuk kemi të drejtë për kompensim. Në vitin 2015, Gjykata e Apelit e prish këtë vendim dhe ia kthen gjykatës së njëjtë në rivendosje dhe riprocedurë për përcaktimin e kompensimit real për pasurinë e shpronësuar nuk parashkruhet, d.m.th. lënda për prona nuk vjetërsohet”, thotë ai.

Pavarësisht kësaj, Komuna e Drenasit përmes një konkursi publik të shpallur më datën 17 shtator 2020 vendosi që parcelën t’ia jap në shfrytëzim për 99 vite, kompanisë “IP-Kos Shpk”, kompani e cila do të ndërtojë një pikë për shitje derivatesh. Që nga muaji mars, KALLXO.com ka dërguar pyetje në e-malin zyrtar të kompanisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Prona në hyrje të Drenasit – Foto:KALLXO.com

Familja Osmani ka kërkuar nga kompania që punimet të ndërpriten deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës kompetente.

“Komuna e Drenasit nuk e pranon, edhe pse është palë e paditur, nuk e pranon që ka kontest me atë pronë dhe i ka vazhduar procedurat e veta. Edhe gjatë aktit, pas hapjes së procedurave për ofertim, me qëllim të informimit të ofertuesit, kemi marr pjesë si familjarë dhe jemi munduat t’ju sqarojmë situatën edhe ofertuesve që kjo pronë është në kontest gjyqësore dhe përderisa nuk ka vendim nga Gjykata të mos marrin pjesë dhe thjeshtë mos të shkaktojnë telashe, neve dhe për veten, për shkak se për neve është lëndë e pazgjidhur dhe dëshirojmë që derisa të marr vendim Gjykata mos të ketë lëvizje në terren”, u shpreh ai.

Ai thotë se seanca e fundit është mbajtur para dy vitesh.

“Kanë kaluar pastaj dy vite pa u mbajt seancë tjetër. Gjyqtari që ishte i caktuar, pensionohet, pastaj disa vite tjera derisa që të caktohet gjyqtari tjetër, i cili në vitin 2019 mban seancën e parë dhe kërkon nga Komuna që ta sjell aktin e kalimit të pronësisë nga prona private dhe në komunale, akt të cilën komuna nuk e ka sjellë as sot”, thotë ai.

Në anën tjetër, Komuna e Drenasit ka deklaruar së rasti është kontest civil për kompensim që si i tillë thonë se nuk e pengon procesin e dhënies në shfrytëzim të kësaj parcele.

Sipas Zyrës për Media të komunës që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci, të gjitha procedurat për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, janë kryer sipas ligjeve në fuqi të asaj kohe.

“Komuna e Drenasit ka kryer të gjitha procedurat për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për 99 vite sipas Ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Në asnjërën nga pronat e dhëna, nuk ka ndonjë kontest pronësor, sepse pronat janë shpronësuar gjatë viteve 1976-1977 dhe pronat kanë kaluar në emër të Komunës që nga ato vite. Pra, procedura e shpronësimit është kryer gjatë viteve 76/77 dhe rrjedhimisht edhe procedurat e kompensimit janë zhvilluar sipas ligjit të shpronësimit/eksproprijimit të asaj periudhe”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë në një përgjigje për KALLXO.com e ka konfirmuar se çështja është kthyer në rigjykim.

“Lënda me numër C.nr.35/14 ndodhet në fazën e procesit të seancës kryesore. Gjyqtari i çështjes ka qenë në vend shikim me ekspertë të gjeodezisë dhe vlerësues të paluajtshmërisë, e pastaj do të vazhdojë procedura. Çështja është kthyer në rigjykim dhe tani lënda është në procedurë e sipër, pra ende nuk është vendosur në mënyrë meritore. Gjyqtari i çështjes i ka mbajtur tri seanca, andaj pas përpilimit të ekspertizave nga ekspertët e të njëjtat të pranohen në Gjykatë do të caktohet seanca e radhës”, thuhet në përgjigje.