(VIDEO) Probleme me rrugë, trotuare e mbeturina në fshatin Sllatinë e Madhe

Banorët e fshatit Sllatinë e Madhe, rruga “Rrafshinë”, në Komunën e Fushë Kosovës, janë duke u ankuar qe disa vite për moszgjerimin e rrugës, trotuareve, largimin e mbeturinave e kërkesa të tjera.

Banorët e kësaj lagjeje, kanë bërë peticion me 177 nënshkrime dhe e kanë dorëzuar në Komunën e Fushë Kosovës, në tetor të vitit të kaluar.

Në këtë peticion thuhet se lagjja është e përbërë nga 64 shtëpi dhe se qe 5 vjet nuk ka pasur investim në këtë pjesë.

Banori i kësaj lagje Qëndrim Hykaj, ka thënë për KALLXO.com, se në këtë pjesë banojnë rreth 250 banorë të cilët e frekuentojnë rrugën e ngushtë, për të cilën kërkon të zgjerohet.

“Siç po shihet ne kemi bërë peticion për këtë rrugë që është një kërkesë shumë emergjente për nevojat e banorëve ne jemi 250 banor dhe 64 shtëpi që e frekuentojnë këtë rrugë. Kemi bërë 2 peticione në komunë, kemi zhvillu takime me zyrtarët përgjegjës për këtë pjesë por s’ka ndryshim deri tash. Peticioni i fundit është në tetor prej 177 nënshkrime edhe për këtë kemi pas takime edhe me nënkryetarin e komunës të cilin e kemi njoftuar për situatën. Ai ka qenë edhe këtu dhe po presim të bëhet një investim apo ndryshim të kësaj traseje në gjendje super të keqe”, tha Hykaj.

Hykaj tha se kërkesa e tyre është zgjerimi i rrugës dhe vendosja e trotuarit. Ankesë tjetër sipas tij është deponia në hyrje të lagjes. Sipas tij komuna deri tani nuk ka ndërmarr asgjë në pastrimin e kësaj deponie.

“Është një deponi në fund të rrugës në të cilin hedhin mbeturina banorët e fshatrave tjera. Edhe për këtë e kemi lajmëruar te organet kompetente në komunë. Ata kurrgjë s’kanë ndërmarr. Kjo nuk është pastru hala edhe pse ne i paguajmë çdo herë faturat e pastrimit”, tha ai.

Edhe banori tjetër Kushtrim Kastrati, shprehi kërkesat dhe ankesat e njëjta për këtë lagje.

Foto: Objekti i Komunës së Fushë Kosovës

“Kemi kërkesë për komunën që me dal me riparuar rrugën me zgjeru, me bo trotuar për fëmijë, etj.”, duke thënë se dy makina në të njëjtën kohë nuk mund të kalojnë.

Ai u shpreh i shqetësuar për fëmijët e kësaj lagje duke thënë se lagja është e banuar me fëmijë dhe ka rrezik për ta edhe shkaku i mungesës së trotuareve edhe shkaku i deponisë së mbeturinave.

“Rruga është e pa mirëmbajtur është e ngushtë nuk ka as trotuare, as mirëmbajtje. Kemi bo peticione, ankesa po asnjëra nuk është marr parasysh. Janë 170 nënshkrime të banorëve dhe s’kemi marr informatë, as s’ka pas asgjë”, tha ai.

Sa i përket kërkesës për mbeturina Kastrati tha se kanë has në vesh të shurdhër.

“Edhe për këta (bërllok) kemi bërë shumë kërkesa, kemi has në vesh të shurdhër, na kanë shty po, po edhe kurrgjë”, shtoi Kastrati.

KALLXO.com, ka kontaktuar edhe me komunën e Fushë Kosovës lidhur me problemet që kanë banorët e lagjes “Rrafshinë”, të fshatit Sllatinë e Madhe të kësaj komune.

Ali Topalli, zëdhënës në Komunën e Fushë Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se për zgjerimin e rrugës, komuna veç se ka marr një vendim në prill të këtij viti për zgjerim.

“Ne veç e kemi marr vendimin më 28.04.2021, dhe rruga për këta qytetarë do të zgjerohet”, tha Topalli duke treguar se asfaltimet pritet të fillojnë shumë shpejtë në gjithë komunën e Fushë Kosovës.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se lejohen mjetet financiare, në shumë prej 19 mijë e 536 euro për asfaltimin e rrugës “Gurët e Gjatë”, në gjatësi prej 320 metra katrorë dhe gjerësi 3 metra.

Kurse, sa i përket çështjes së mbeturinave, Topalli tha se do t’i largojnë ato dhe se fajin e hedh te banorët të cilët sipas tij hedhin mbeturina vend e pa vend.

“Sa i përket çështjes së mbeturinave ankesa e tyre është ku mbeturinat janë vendos në hapësirën e një prone publike që i takon me ligj FSK-së, dhe qytetarë të pa ndërgjegjshëm sigurisht që po e keqpërdorin atë hapësirë dhe po e vendosin materialet nga më të ndryshme në atë vend. Disa herë e kemi bo pastrimin jo vetëm të asaj zone por edhe të pjesëve të ndryshme ku ka mbeturina. Ne do t’i eliminojmë por duhet të kihet parasysh që edhe qytetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm mos të hedhin mbeturina vend e pa vend sepse ne nuk mund t’ju ofrojmë kujdestari asaj hapësire”, tha Topalli.

Topalli, ka shpjeguar se që nga viti i kaluar dhe këtë vit po përballen me sfidën e pandemisë dhe gjitha projektet ka qenë e pa mundur të realizohen. Por, sipas tij disa projekte më kryesore kanë filluar t’i planifikojnë dhe sipas tij do t’i realizojnë shumë shpejtë.