Foto: KALLXO.com
VIDEO: Padia për kompensim të dëmit, mbahet seanca ku e paditur është kompania “Trepça”
Kompania “EL-FA” ka ngritur padi ndaj kompanisë “Trepça”, duke kërkuar kompensim të dëmit që po pretendon se i është shkaktuar nga ndërprerja e njëanshme e kontratës së qirasë. Kompania ka propozuar edhe shqiptimin e masës së sigurisë.
Në seancën e sotme përgatitore gjyqtarja e rastit, Franciska Zhitia Ymeri, ka deklaruar se deri më tani Gjykata nuk ka pranuar përgjigje nga kundërpropozuesi në kërkesën e propozuesit për caktimin e masës së sigurisë.
I autorizuari i kundërpropozuesit, avokati Fuad Haliti, deklaroi se nuk ka arritur ta përgatisë përgjigjen lidhur me kërkesën për masën e sigurisë për shkak se, siç tha, vetëm para dy ditëve e ka pranuar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë.
“Nuk kam arritur ta përgatis përgjigjen lidhur me masën e sigurisë të kërkuar nga paditësi për arsye se thirrjen për seancë përgatitore dhe shkresat e lëndës i kam pranuar më 25 janar 2021. Për shkak kohës së shkurtër nuk kam arritur ta përgatis parashtresën në përgjigje lidhur me masën e sigurimit që është kërkuar nga paditësi, mirëpo përgjigjen e kam të shkruar dhe do ta dorëzoj brenda afatit ligjor”, tha ai.
I autorizuari i propozuesit, avokati Fatbardh Makolli, deklaroi se mbetet si në propozimin për caktimin e masës së sigurisë.
“Mbesim si në propozim për caktimin e masës së sigurisë ngase shqiptimi i kësaj mase nga ana e Gjykatës është më se e domosdoshme në drejtim të pengimit të shkaktimit dhe të rritjes së dëmit që propozuesit është duke iu shkaktuar”, deklaroi Makolli.
Avokati tha se caktimi i masës së sigurisë është i domosdoshëm për shkak se, sipas tij, pajisjet që janë të vendosura në objektin kontestues nuk janë duke u mirëmbajtur dhe janë në gjendje të mjerueshme.
“Siç është elaboruar dhe në paragrafin 3 të padisë, si dhe në 5 shkresa të tjera që propozuesi i ka drejtuar kundërpropozuesit të masës rezulton se paditësi në këtë objekt ka instaluar makineri të rëndë moderne. Ku instalimi i tyre bëhet me ndihmën e ekspertëve të jashtëm e që rrjedhimisht edhe vendosja e tyre mund të bëhet vetëm me ndihmën e ekspertëve të jashtëm. E gjitha kjo i merr 4 deri në 5 muaj kohë propozuesit dhe këto parashtrime e sugjerime deri në nivelin e lutjes drejtuar kundërpropozuesit, propozuesi i ka shprehur edhe me 5 shkresa drejtuar kundërpropozuesit”, tha ai.
“Sot ato pajisje janë në gjendje të mjerueshme, të mbytura nga ujë si rezultat i kësaj kohe kurse propozuesi nuk ka të drejtë qasjeje në objekt ngase me vendim e ka të ndaluar nga kundërpropozuesi. Mendoj se në rastin konkret është më se e domosdoshme shqiptimi i kësaj mase të sigurisë”, shtoi avokati Makolli.
Më pas gjyqtarja e rastit, Franciska Zhitia Ymeri, kërkoi nga i autorizuari i paditësit që ta prezantojë kontratën e datës 21 korrik 2009 ngase, sipas gjyqtares, kjo kontratë nuk është e bashkëngjitur në propozimin e masës së sigurisë e po ashtu as kontrata mbi qiranë e datës 26 janar 2016.
Lidhur me kërkesën e gjyqtares, i autorizuari i propozuesit të masës së sigurisë deklaroi që me anë të parashtresave do t’i sjellë kontratat në fjalë.
Gjykata kërkoi edhe nga kundërpropozuesi që t’ia sjellë Gjykatës certifikatën e biznesit “Trepça”, ku përcaktohen veprimtaria e kundërpropozuesit se merret me qiradhënien në mënyrë që Gjykata të vlerësojë kompetencën lëndore.
Edhe kundërpropozuesi i masës së sigurisë deklaroi se këtë certifikatë do t’ia bashkangjesë përgjigjes për propozimin e masës së sigurisë.
Gjykata po ashtu kërkoi nga i autorizuari i propozuesit të masës së sigurisë që me parashtresë ta precizojë kërkesëpadinë ashtu që ajo të jetë e kuptueshme sa i përket subjektit të shqyrtimit të kësaj çështje kontestimore.
Po ashtu me kërkesëpadinë të sqarojë saktë se a kërkojnë demshpërblim nëse ajo është krijuar me mosrespektimin e kontratës si dhe të sqarojnë se me propozimin e masës së sigurisë a kërkojnë që të shtyhet lirimi i objektit të marrë me qira deri në vendosjen meritore të kërkesëpadisë.
Lidhur me kërkesat e lartcekura më pas Gjykata do të marrë vendim të veçantë e po ashtu do ta përcaktojë edhe afatin ligjor për plotësimin e kërkesëpadisë dhe asaj për propozimin e masës së sigurisë.
Padia ka të bëjë me kompensimin e dëmeve nga ndërprerja e njëanshme e kontratës së qirasë dhe propozimin për shqiptimin e masës së sigurisë.
Paditësi me të paditurin që nga viti 2009 kanë qenë në raport juridik. Përkatësisht, paditësi si qiramarrës e ka pasur me qira hapësirën e të paditurit. Ky raport është vazhduar me kontrata të reja apo aneks kontrata pa kurrfarë ankese dhe duke i respektuar në tërësi kushtet e kontratës.
Tutje në padi thuhet se që nga lidhja e kontratës së qirasë e deri në ditën e ndërprerjes “së njëanshme dhe të pabazuar”, paditësi në cilësinë e qiramarrësit në tërësi u është përmbajtur kushteve të kontratës, duke i kryer të gjitha obligimet kontraktuese e në veçanti duke e paguar qiranë brenda afateve kohore, duke mos e dëmtuar pronën e qiradhënësit dhe duke përmbushur në përpikëri kushtet e parapara në kontratë.
Në padi thuhet se kjo rrethanë si çështje faktike ka rezultuar me vazhdimin e kontratës me qira nëpërmjet aneks-kontratave në mënyrë të vazhdueshme dhe pa kurrfarë hezitimi dhe pa asnjë vërejtje.
Mirëpo, më 14 shtator 2020, sipas padisë, pa kurrfarë paralajmërimi dhe pa kurrfarë baze apo shkasi dhe vetëm paditësit e jo dhe qiramarrësve të tjerë paditësit i erdhi njoftimi për ndërprerjen arbitrare të kontratës dhe me obligimin që ta lirojë objektin në afat prej 15 ditësh.
Paditësi shpjegon në padi se që nga fillimi i qirasë, më 26 janar 2016, të njëjtën hapësirë e ka marrë me qira për arsye të ushtrimit të veprimtarisë së prodhimit të peletit dhe për këtë arsye në këtë objekt e ka vendosur makinerinë për prodhimin e peletit. Sipas padisë, vetëm vendosja e makinerisë, sistemimi dhe lëshimi në funksion ka qenë i mundur nga 5 ekspertë sllovakë në mbikëqyrje të një inxhinieri gjerman.
Gjithnjë sipas padisë, për çmontimin kësaj makinerie nevojiten së paku dy ekspertë-inxhinierë të huaj, mëditja për të cilët kushton 500 euro, pastaj edhe shpenzimet e udhëtimit e akomodimit të punëtorëve ndihmës, e që janë 3-4 punëtorë. Ky çmontim merr kohë afërsisht 2 deri në 3 muaj.
Po ashtu, këto pajisje janë makineri shumë të mëdha dhe montimi dhe demontimi i tyre mund të bëhet vetëm me ndihmën e kranave të mëdhenj dhe me mbikëqyrje e kujdes të shtuar.
Tutje në padi thuhet se këto pajisje janë të lidhura me rrjetin e rrymës që konsumon rrymë në sasi të madhe pasi në të janë të instaluara 60-65 motorë elektrikë të lidhura me tabelën komanduese ku gjatësia e kabllos së rrymës e lidhur me rrjetin furnizues është në distancë prej 3000-3500 metra gjatësi, ashtu që kërkesa e të paditurit që brenda 15 ditësh të lirohet hapësira është absurde dhe tendencioze me pasoja për pajisjet.
Duke u gjendur në një situatë të tillë, paditësi i është drejtuar të paditurit me kërkesë për sqarim për këtë veprim.
Në padi thuhet se gjatë takimeve me zyrtarët e të paditurit, në veçanti me drejtorin e Administratës, Besim Haxhiu, i njëjti ka konfirmuar se do të shkëputet kontrata e qirasë.
Ky rast është hulumtuar nga KALLXO.com dhe është shfaqur në emisionin e datës 27 nëntor 2020, të emërtuar “Shantazhet ndaj prodhuesit vendor”.
www.kallxo.com