VIDEO: Pacientët me coronavirus lavdërojnë stafin mjekësor, ankohen për çmimet e barnave

Në korridorin e ngushtë të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës shihen mjekët e infermierët duke u përgatitur terapinë që do t’ua japin pacientëve të infektuar me COVID-19.

Nën menaxhimin e infektologut Salih Ahmeti, ata ndajnë dokumentacionin dhe terapinë për secilin pacient.

Secila dhomë e Klinikës Infektive ka një apo dy pacientë të infektuar me coronavirus.

Shumica prej tyre janë në gjendje të mirë por ende kanë nevojë për terapi.

Një pacient ankohet për çmimin e lartë të barnave që duhet t’i blejë.

“Është terapi e shtrenjtë. Me siguri 700 euro e mbërrin. ‘Favira’ (lloj ilaçi) në Francë kushton 28 euro ndërsa këtu 400 euro” , thotë për KALLXO.com njëri nga pacientët me COVID-19.

Ndërsa, pacienti tjetër, i cili është i shtrirë në Infektivë tash e 11 ditë, thotë se është i kënaqur me shërbimin në këtë klinikë dhe lavdëron stafin mjekësor.

“Sali Ahmeti dhe komplet stafi këtu në infektivë janë heronj të kësaj pandemie. Të gjitha kushtet janë mirë. Na kanë trajtu mirë”, shprehet pacienti.

Lidhur me ankesën e pacientëve për çmimet e barnave, infektologu Salih Ahmeti thotë se trajtimi për coronavirus është i shtrenjtë.

Ai thotë se presin nga Ministria e Shëndetësisë të furnizohen me dy barna që kanë pasur efekt të mirë te pacientët me COVID-19.

Deri më tani, në Kosovë me coronavirus janë infektuar 13 mijë e 601 qytetarë. 533 prej tyre kanë vdekur.