VIDEO - Mbledhja e Komisionit për Financa Publike përfundon me 'përplasje' mes pushtetit dhe opozitës

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka përfunduar me “përplasje” në mes deputetëve të pozitës dhe të opozitës.

Fillimisht, pasi në mbledhje ishte duke u diskutuar për raportimin e ministres Rozeta Hajdari gjatë javës së kaluar, në momentin kur deputetja e Vetëvendosjes, Mirlinda Tishukaj Sadiku e mori fjalën, deputetët e PDK-së, Rashit Qalaj dhe Hajdar Beqaj, si dhe ajo e AAK, Albana Bytyqi lëshuan mbledhjen e Komisionit.

Më pas, përplasja vazhdoi në mes të deputetes Mirlinda Tishukaj-Sadiku me atë të LDK-së, Hykmete Bajramin, në lidhje me dërgimin në Kuvend të raportit të ZKA-së për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Ky propozim i kryesueses Hykmete Bajrami nuk kaloi, në mungesë të votave.

Më herët gjatë kësaj mbledhje, Komisioni shqyrtoi raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), për Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në këtë raport kishte vetëm një gjetje, e cila ishte për menaxhimin e shpenzimeve dhe pasurive nën vlerën 1 mijë euro.

Kryetarja e OSHP-së, Vjosa Gradinaj, tha se institucioni që ajo drejton përballet me mungesë të stafit dhe njerëzve adekuat.

Ajo tha se kanë filluar me zbatimin e kësaj gjetje të ZKA-së.

“Me këtë gjetje jemi pajtuar, ne si bord në fund të qershorit 2022 kemi marrë mandatin dhe kemi pasur ngarkesë të madhe për shkak të lëndëve. Është e vërtetë që ka pasur mangësi, ashtu siç është përcaktuar në gjetje. Ne kemi filluar zbatimin e rekomandimit” – ka thënë ajo.

Sipas kryetares së OSHP, ky institucion ka bërë kërkesë në Kuvend për shtimin e buxhetit, pasi sipas saj, punëtorët kanë filluar të lëshojnë punën për shkak të punës së madhe dhe pagave të vogla.

Ajo tha se problemi kryesor i OSHP-së vazhdon të jetë mungesa e njerëzve të fushës, që trajtojnë lëndët e ankesave nga operatorët ekonomik.