Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO - Kurti-opozitës: T’i mbroni SHBA-të prej meje, jeni veçse qesharak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur qesharake veprimet që sipas tij partitë opozitare në Kosovë po synojnë, duke i mbrojtur SHBA-të nga Kurti.

Gjatë debatit parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, Kurti tha se ai merret me çështjet që duhet t’i trajtojë, pa dhënë detaje tjera.

“Ne jemi partnerë serioz të SHBA-ve, jemi edhe demokrat edhe patriot. Të tillë i duan edhe aleatet dhe partnerët e vet SHBA-të. Prandaj thirrjet që na i bëni për seriozitet në raportet me SHBA-të ne i marrim shumë seriozisht dhe do ti zhvillojmë edhe më tej duke i thelluar dhe zhvilluar. Por mos harroni që me këso mbrojtje që ju pretendoni t’ua bëni SHBA-ve prej meje pra si avokatë të SHBA-ve ndaj meje, duke qenë se nuk mund të bëheni tragjik jeni qesharak. Duhet ta pushoni këtë lloj mbrojtje të SHBA-ve prej meje”, tha ai.

Kurti shtoi se “SHBA-të vështirë që mund t’i rrezikojë kushdo në botë. E në këtë Kuvend t’i mbroni SHBA-të prej meje duke qenë se s’bëheni dot tragjik, jeni veçse qesharak “.

“Me çka duhet të merrem unë, merrem unë, por është e vërtetë që nganjëherë po më duhen të merrem edhe me të kaluarën sepse po më duhet të merrem edhe me juve”, tha Kurti, pasi ishte pyetur nga partitë opozitare se çfarë do të veprojë me Marrëveshjen e  Uashingtonit.

Ndërsa, Abelard Tahiri nga PDK-ja tha se Kurti po vepron si deputet opozitar dhe se nuk po tregon se si të veprojë me çështje të ndryshme, përfshirë Marrëveshjen e Uashingtonit.

Ai tha se Kurti vetëm po lëshon ofendime ndaj opozitës.

“Kurti nuk ta mundëson diskutimin, ai thotë unë punoj ashtu siç më punohet. Thjesht po kërkojmë qartësi. Po ndihem i turpëruar për mënyrën se si na turpëroi kryeministri dhe se si e la seancën”, tha Tahiri.

Marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë ishte nënshkruar në shtator të vitit të kaluar, me ndërmjetësim të ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe pjesëmarrje të ish-kryeminsitrit të Kosovës, Avdukllah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.