VIDEO - Kulmi s'e mban ujin në shkollën e Prekazit të Epërm

Kulmi i shkollës fillore “Azem Bejta” në Prekaz të Epërm të Skenderajt po e rrjedh ujin sa herë ka të reshura.

Kështu është situata edhe ditëve të fundit.

Një qytetar, i cili ka raportuar në KALLXO.com, ka thënë se ky problem është që rreth katër vite.

Prindi i nxënësit që vijon mësimin në këtë shkollë ka kërkuar nga institucionet përkatëse që të ndërmarrin diçka në rregullimin e kësaj çështjeje.

Ai ka dërguar pamje nga shkolla, të marra sot. Në pamje shihet se kulmi pikon në mes të korridorit të shkollës.

Në pamje shihet se punonjësit e shkollës në korridor kanë vendosur disa kontejnerë dhe kova.

Këtë gjendje të shkollës e ka pohuar edhe drejtori i shkollës, Jashar Jashari.

Jashari për KALLXO.com ka fajësuar materialin me të cilin është ndërtuar kupola. Ai pretendon se me të njëjtin problem përballen të gjitha shkollat që janë ndërtuar kësisoj.

“Boll moti pikë, po pikon njëherë ngapak, tash ma shumë. Kanë intervenu para një jave, por prapë se problemi është më këto kupola… Po, shkolla e re është, po krejt shkollat që po e kanë këtë planin e njëjtë me kupola po e kanë të njëjtin problem jo vetëm e jonja. Që nja katër-pesë ditë kanë punu do mjeshtër, po prapë nuk kanë mujtë me gjetë defektin e me sanu problemin. Po besoj që kur të ndalen reshjet do ta rregullojnë, nuk e lajnë ashtu”, u shpreh Jashari.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Skenderajt, Bekim Latifi, deklaroi se do ta sanojnë problemin brenda disa ditëve.

“Objekti nuk është edhe shumë i ri, që nja dhjetë vite. Por, ndodhin këto, edhe si pasojë e erërave të forta se kulmi është goxha i lartë. Po me rëndësi është që ne kemi me intervenu. Sot s’kemi pas shanca me intervenu se ka pasë shumë shira të mëdha. Këto dy ditë besoj që shkojmë e rregullojmë’, u shpreh ai për KALLXO.com

Kjo është video që tregon nga gjendjen e shkollës: