VIDEO: Asfalti dyjavor i Prishtinës

Dy javë më parë kanë përfunduar punimet e riasfaltimit në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë por gropat në rrugë janë shfaqur sërish.

Pamjet e xhiruara nga KALLXO.com tregojnë rrugën e cila ka filluar shumë shpejt të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Gjithashtu pengesë për kalimtarët në këtë rrugë janë mosvendosja e stazave për këmbësorë.

Faik Duriqi, banor në këtë pjesë të qytetit, thotë se stazat duhej të ishin bërë sepse i konsideron të nevojshme.

“Kjo rruga te gjimnazi është shtru para një javë po kryesoren e kanë lënë pa punu. Atë kryesoren që është e kanë lënë pa punu. Du me i çu një fjalë komunës apo qeverisë, askund nuk ka staza, kur të shtrohet asfalti, stazat duhet me i punu  për njerëzit”, thotë ai.

Por të njëjtin fat për riasfaltim nuk e kishte rruga “Emin Duraku”.

 

Edhe kjo rrugë është afër gjimnazit “Sami Frashëri”, e frekuentuar shumë nga nxënësit e kësaj shkolle.

Selatin Novosella thotë se kjo rrugë duhet të jetë për këmbësorë.

Kjo rrugë me të gjithë kriteret duhet të jetë rrugë këmbësore, duhet të mbyllet në fillim dhe në fund për arsye se këtu gravitohen tri- katër shkolla është “Sami Frashëri”, “Ahmet Gashi”, “Elena Gjika”. Ky rreth i ka minimum 4 mijë nxënës, kryesisht këta nxënës qarkullojnë kësaj rruge”, thotë Novosella.

KALLXO.com tash e disa ditë është në pritje të një përgjigjeje nga komuna e Prishtinës rreth këtij problemi, por as pas shumë insistimeve, ata nuk janë përgjigjur.