E papastruar dhe e errët, rruga 'Orikumi' në 'Kodrën e Trimave' pret fshesat dhe dritat

 

Banorët e një rruge në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë tash e një kohë vazhdojnë të kenë probleme me rrugën e dëmtuar dhe mungesën e ndriçimit në të.

Nazmi Abazi, një banor i kësaj lagjeje, thotë se përveç vështirësive në qarkullim shkaku i dëmtimit, mungesa e ndriçimi paraqet edhe rrezik shtesë për sigurinë e banorëve.

“Këto gropa na sjellin shumë vështirësi në veturat tona e sidomos ndriçimi është një problem i madh për shkak se jemi të rrezikuar edhe nga qentë endacakë të cilët në errësirë janë mjaftë aktivë”, thotë ai.

Abazi shtoi se edhe pastrimi i lagjes nuk bëhet vetëm në këtë rrugë.

Komuna e Prishtinës, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kjo rrugë është në listë të projekteve për t’u rregulluar dhe “do të realizohet sipas mundësive buxhetore dhe projekteve të zgjerimit të ndriçimit publik”.

Ndërsa lidhur me pastrimin e rrugës, Kompania “Pastrimi” ka thënë se kjo rrugë nuk është në bazë të kontratës që kanë me Komunën e Prishtinës.

“Kompania Pastrimi bën larjen dhe fshirjen e rrugëve në bazë të kontratës që e ka me komunën e Prishtinës, ndërsa sa i përket rrugës “Orikumi” kjo nuk figuron në listën e rrugëve në bazë të kontratës që kemi me komunën e Prishtinës, prandaj jo që janë anashkaluar por është përgjegjësi e kompanisë tjetër në bazë të kontratës me komunën”, ka thënë kompania “Pastrimi” në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

Kompania TOIFOR përgjegjëse për pastrimin e rrugës “Orikumi” pas interesimit nga Kallxo.com mbrëmë ka filluar me larjen e rrugës në këtë zonë.

Banorët kanë dërguar pamjet gjatë pastrimit.