Vështirësitë e papërballueshme të sirianëve

Pas luftës civile dhe, tani, pas fatkeqësisë natyrore, veriperëndimi i Sirisë ka nevojë të dëshpëruar për ndihmën ndërkombëtare, edhe nëse është e vështirë për t’u ofruar.

U desh të ndodhë një nga tërmetet më të fuqishme brenda një shekulli që vëmendja e botës më në fund të kthehet drejt Sirisë, një vend i shkatërruar nga 12 vjet luftë civile; i ndarë mes qeverisë, milicisë dhe fuqive të huaja; dhe shtëpia e miliona njerëzve të zhvendosur brenda vendit.

Deri më tani, shumica e pamjeve të shkatërrimit kanë dalë nga Turqia, ku tërmeti me magnitudë 7.8 goditi mëngjesin e hershëm të së hënës, i ndjekur nga një tjetër tërmet me magnitudë 7.5 ballë. Aty deri më tani janë raportuar mbi 10000 vdekje. Numri total i të vdekurve në Siri është mbi 2500 njerëz. Mirëpo dhimbja e atyre që jetojnë në veriperëndim të Sirisë të kontrolluar nga rebelët, duke përfshirë qytete të tilla si Idlibi, është veçanërisht akute. Tërmetet erdhën pas vitesh të tëra bombardimesh të pamëshirshme nga forcat qeveritare ruse dhe siriane. Siria veriperëndimore, ku jetojnë afro tre milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit, tashmë është shkëputur nga komuniteti ndërkombëtar dhe pjesa më e madhe e infrastrukturës së saj – duke përfshirë spitalet, një objektiv i preferuar i avionëve rusë – është shkatërruar plotësisht ose pjesërisht nga lufta. Tërmetet e kanë bërë të padurueshme gjendjen e këtyre sirianëve.

Fatkeqësia e së hënës ofron gjithashtu një kujtesë se sa dëshpërimisht ka nevojë Siria për ndihmën ndërkombëtare, edhe nëse është e vështirë për t’u ofruar. Megjithëse ndihma po rrjedh në Turqi, logjistika dhe politika për ta ndihmuar Sirinë, veçanërisht zonat e cenueshme në veriperëndim, janë shumë më të komplikuara marrë parasysh konfliktin e vazhdueshëm dhe statusin e pabesë të regjimit të Asadit në shumicën e komunitetit ndërkombëtar.

Qeveritë siriane dhe ruse tashmë po kërkojnë ta politizojnë ndihmën për katastrofat duke bërë thirrje për t’i dhënë fund sanksioneve ndaj regjimit dhe ka të ngjarë ta përdorin këtë mundësi për ta rimarrë kontrollin mbi veriperëndimin e vendit. Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë shpejt, madje edhe në mënyrë të njëanshme, për të ofruar ndihma në veri të Sirisë, duke i mbajtur nën kontroll lëvizjet diplomatike dhe ushtarake të Damaskut dhe Moskës.

Edhe para tërmetit, qeveritë siriane dhe ruse e kontrolluan fort fluksin e ndihmave përtej kufirit nga Turqia. Qeveria siriane ka këmbëngulur prej kohësh që ndihma për zonat e kontrolluara nga forcat opozitare duhet të rrjedhë përmes Damaskut. Dhe Rusia e ka vënë në mënyrë të përsëritur veton ndaj përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara për t’i rritur furnizimet dhe për ta lehtësuar dërgimin e tyre në zonën e kontrolluar nga rebelët nëpërmjet korridorit humanitar siriano-turk në vendkalimin Bab-al Hawa.

Ajo rrugë tani është shkatërruar nga tërmeti dhe furnizimet ekzistuese humanitare në tubacion mund të zgjasin vetëm tri deri në pesë ditë. Damasku po merr disa ndihma për fatkeqësinë nga tërmeti nga Algjeria, Irani, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe nga Kombet e Bashkuara. Por askush nuk po nxiton ende në veriperëndim të Sirisë për shkak të sfidave të arritjes së zonës dhe pengesave politike. Ambasadori i Sirisë në OKB ka apeluar për ndihmë nga vendet e tjera dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës, ndërkohë që pohon se ndihma për veriperëndimin e vendit ende duhet të shpërndahet vetëm përmes qeverisë siriane. Kjo do të thotë se jetët e atyre që kanë ikur nga regjimi sirian për në zonat e kontrolluara nga rebelët mund të jenë përsëri në duart e Bashar al-Assadit. Në mediat sociale, disa llogari pro-Asadit kanë dalë në mbrojtje kundër ndihmës për zonat rebele në.

Duke e marrë parasysh shkallën e dëmit të tërmetit, mund të argumentohet se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i lejojë të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar Sirinë – duke përfshirë kanalizimin e ndihmës përmes Damaskut, në këmbim të së cilës qeveria e Asadit duhet të lejojë qasje të papenguar në zonat kundërshtare përmes kufirit verior. Mirëpo regjimi sirian pothuajse me siguri do t’i rezistojë një lëvizjeje të tillë dhe do të kënaqet duke i parë zonat rebele teksa vuajnë edhe më shumë. Dhe do të përpiqet në mënyrë mashtruese ta përshkruajë ndihmën që shkon në Damask si një shenjë e mbështetjes ndërkombëtare për qeverinë e Asadit.

Charles Lister, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, D.C., më tha se megjithëse turqit janë të përqendruar në mënyrë të kuptueshme në përpjekjet e tyre të shpëtimit, ka zona të tjera të kalimit kufitar përmes të cilave Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë ndihmë në veriperëndim të Sirisë në mënyrë të njëanshme mirëpo me lejen e Turqisë ose në koordinim me kurdët dhe forcat e tjera vendase. Ushtria amerikane ka gjithashtu një prani të sajën në pjesë të Sirisë veriperëndimore dhe verilindore që mund t’i përdorë për të lëshuar nga ajri disa ndihma, megjithëse kjo është alternativa më pak ideale duke pasur parasysh motin e dimrit dhe mungesën e saktësisë në fluturime. Ushtria gjithashtu mund ta përdorë bazën e saj në verilindje të vendit si një qendër për organizimin e ndihmës humanitare, duke kaluar sërish në zonat rebele në koordinim me turqit dhe kurdët.

Në muajt e fundit, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania kanë bërë propozime për Asadin, i cili e vizitoi Abu Dhabin vitin e kaluar. Por Shtetet e Bashkuara kanë rezistuar dhe kanë paralajmëruar kundër një afrimi të tillë. Që nga goditja e tërmetit, SHBA-ja ka premtuar ndihmë për njerëzit në të dy anët e kufirit, ndërsa ka përjashtuar mundësinë e përballjes me qeverinë e Asadit. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ende nuk ka ofruar shumë specifika se si do ta ndihmojë Sirinë veriperëndimore. Presidenti Joe Biden deklaroi ditë më parë se “partnerët humanitarë të mbështetur nga SHBA po i përgjigjen gjithashtu shkatërrimit në Siri”, një deklaratë e bërë nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Administratorja e USAID-it, Samantha Poëer, shkroi sot në Tëitter se ajo ka folur me Raed al-Saleh, udhëheqësin e Mbrojtjes Civile të Sirisë, grupi humanitar vullnetar i njohur gjithashtu si Helmetat e Bardha që operon në zonën e kontrolluar nga rebelët, për mënyrën se si USAID mund të ofrojë ndihmë urgjente për sirianët atje. Helmetat e Bardha kanë bërë punë heroike prej vitesh, duke nxjerrë njerëz nga rrënojat e shtëpive, ndërtesave dhe spitaleve të bombarduara. 3,000 vullnetarët e tyre tani janë vendosur plotësisht për të kërkuar të mbijetuarit, por raportohet se atyre po u mbarojnë karburantet.

Pas publikimit të këtij artikulli, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë përmes një e-email se “Ne i mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet për të ofruar ndihmë humanitare për popullin sirian në nevojë dhe nuk po i pengojmë këto përpjekje. … Ne po punojmë shumë me aleatët tanë turq dhe partnerët e OJQ-ve për të ruajtur dhe zgjeruar qasjen ndërkufitare në zonat e prekura të Sirisë. Ne vazhdojmë të punojmë për t’i adresuar dëmet në kufirin Bab al-Haëa për të siguruar që ndihma ndërkombëtare humanitare të mund të arrijë në Siri. Zëdhënësi tutje shtoi se “tani nuk është koha që regjimi t’i përdorë fatkeqësitë natyrore në dobi të tyre.”

Logjistika do të jetë një makth. Mirëpo Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojnë tujte për të ofruar ndihmë të menjëhershme afatshkurtër për sirianët që jetojnë në zonat kundërshtare dhe më pas të mendojnë në mënyrë atraktive se si t’i përmirësojnë perspektivat afatgjata për sirianët duke mos e shfajësuar regjimin e Assadit. Nëse ka një mësim nga ky tërmet përtej domosdoshmërisë për gatishmëri në një zonë që ndodhet në një vijë të çarjes, është se plagët e thella në këtë rajon nuk mund thjesht të dezinfektohen dhe pastaj të injorohen, siç ka bërë Uashingtoni me Sirinë. Sirianët janë braktisur dhe harruar për shumë kohë tashmë./The Atlantic

Përgatiti: Nuhi Shala