Foto: Facebook/ PDK

Veseli: Qeveria Kurti nxiti debatin më të dëmshëm të marrëdhënieve Kosovë-ShBA

Kryetari partisë më të madhe opozitare në vend, PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar, pas deklaratave të senatorit Republikan, David Perdue, për rishikimin e prezencës ushtarake amerikane në vendin tonë.

Sipas Veselit Qeveria Kurti ka nxitur këtë debat të dëmshëm dhe të rrezikshëm.

“Në kohën kur mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është jetike dhe shumë e domosdoshme, Qeveria aktuale, si asnjë qeveri tjetër e mëparshme, ka nxitur debatin më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm të marrëdhënieve Kosovë – ShBA”, ka shkuruar Veseli në Facebook.

Sipas tij deklarata e senatorit Republikan, David Perdue, për rishikimin e prezencës ushtarake amerikane në vendin tonë, është më shumë se serioze.

“Vënia në dyshim e rolit të SHBA-ve nga Qeveria Kurti dhe aleancës sonë të palëkundur me shtetin amerikan, është dëmi më i madh që një i zgjedhur politik i Kosovës, ka arritur t’i bëjë shtetit tonë. Vendosja e Kosovës në udhëkryq të rrezikshëm nacional, i ardhur jo nga ndonjë kërcënim i jashtëm, por nga aktet e pamenduara të vetë Kryeministrit, është shenjë e keqe për vendin tonë”, shkruan ai.

Donald Trump Junior, i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Në një postim në Twitter, Trump i riu, ka thënë se pajtohet me kërkesën e senatorit.

“Pajtohem. Janë 650 trupa amerikane në Kosovë. Koha për t’i kthyer në shtëpi”, tha shkurt Donald Trump Junior.

Sot, David Perdue, senator amerikan, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta largojë tarifën ndaj mallrave Serbisë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin historik në horizont, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë”, ka shkruar në Twitter, senatori Perdue që vjen nga Partia Republikane të cilës i përket edhe Presidenti Donald Trump.

Në të kundërtën senatori Perdue ka kërkuar nga SHBA ta shqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

“Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqen, atëherë ShBA duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka theksuar ai.