Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Vendimi i Supremes ndaj të dënuarit për dhunimin e 15 vjeçares në Pejë

Një hulumtim i KALLXO.com kishte zbardhur një dënim skandaloz të Gjykatës së Pejës, sipas të cilit, dhunuesi ishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim për dhurimin e të miturës 15 vjeçare që kishte ndodhur në vitin 2012.

Personi i cili akuzohej për dhunim, në rigjykim ishte dënuar me 5 vite e gjashtë muaj dënim me burgim por më pas Apeli i kishte zbritur dënimin ndaj P. K. në vetëm 2 vite dënim me burgim.

Supremja me vendimin e datës 26.04.2024 ka vendosur që ekzekutimi i dënimit me burgim për P. K. të pushohet pasi që ka urdhëruar të bëhet rishikimi i procedurës penale.

Rishikimi i procedurës penale është bërë pas kërkesës që kishte paraqitur mbrojtësi i të dënuarit P. K., Ylli Bokshi.

Bokshi në Supreme kishte paraqitur si pretendim, një provë të re e cila kishte të bënte me ankesën që kishte bërë pala e dëmtuar kundër Aktgjykimit dënues të Gjykatës së Pejës ndaj P. K. me burgim prej 8 muaj e 8 ditë.

Kolegji i Supremes në përbërje nga Mejreme Memaj, Agim Maliqi dhe Rasim Rasimi, ka konstatuar se ankesa e lartcekur e cila ishte dashur të nënshkruhet nga vetë pala e dëmtuar, rezulton të jetë nënshkruar nga dikush tjetër, në emër të palës së dëmtuar, pra duke e bërë këtë nënshkrim të falsifikuar.

Për këtë pretendim avokati, Ylli Bokshi kishte paraqitur si provë ekspertizën grafologjike të ekspertit Sedat Gashi, që konstatonte se nënshkrimi në ankesë nuk ishte i palës së dëmtuar.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një koment nga avokati i P. K., Ylli Bokshi, i cili tha se kishin dyshuar që ankesa ishte bërë nga pala e dëmtuar, kundër vendimit dënues të Gjykatës së Pejës prej 8 muaj e 8 ditë për P. K.

“Duhet me pasë parasysh faktin se prokuroria asnjëherë për këtë rast nuk ka paraqitur ankesë veç në rastin e fundit kur është kthyer në rigjykim. Kur është dënu i mbrojturi im me 8 muaj e 8 ditë, ka paraqitur ankesë vetëm pala e dëmtuar do të thotë s`ka paraqitur prokuroria ankesë – veç pala e dëmtuar, na kemi dyshu se nënshkrimi në ankesë nuk ka qenë i palës së dëmtuar por e ka nënshkruar dikush tjetër për të, e ka paraqit ankesë”- tha Ylli Bokshi për KALLXO.com.

Bokshi tutje tha se sipas vendimit të Supremes, të gjitha vendimet që ishin nxjerrë pas vendimit me të cilin P. K. ishte dënuar 8 muaj e 8 ditë, duhet të anulohen, pas vendimit të Supremes.

“Faktikisht duhet me u anulu krejt vendimet, deri te ai vendim (prej 8 muaj e 8 ditë)”- tha Bokshi për KALLXO.com.

Kujtojmë që i tërë rasti fillesën e kishte në vitin 2012, kur një vajzë ishte dhunuar nga tre persona. Gjykata e Qarkut në Pejë, në atë kohë më 06.11.2021 P. K. e kishte dënuar me 2 vite dënim me burgim. Vendim i Gjykatës së Qarkut të Pejës nuk kishte gjetur mbështetje të bazuar në ligj në Gjykatën e Apelit pasi më 13.03.2014 çështja ishte kthyer në rigjykim.

Rigjykimi në Gjykatën e Pejës më 15.07.2021 rezultoi më një vendim skandaloz duke e dënuar P. K. me vetëm 8 muaj e 8 ditë dënim me burgim për veprën penale të dhunimit. Sipas Ligjit dënimi i paraparë në këso raste, parashihej të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Lidhur me dënimin prej vetëm 8 muajsh dënim me burgim, prokurorja Lirije Morina nuk kishte ushtuar ankesë.

Ky rast ishte bërë i plotfuqishëm pasi nuk ishin parashtruar ankesat me kohë. Por pala e dëmtuar nuk e kishte pranuar asnjëherë aktgjykim.

Vendimi skandaloz i Gjykatës së Pejës – departamenti për të mitur, i nxjerrë nga Gjyqtarja Florie Zatriqi, nuk mori aprovimin e Gjykatës së Apelit pasi që më 06.07.2023 kjo Gjykatë rastin e ktheu në pikën zero. Apeli kishte aprovuar si të bazuar ankesën që kishte paraqitur më vonë viktima ndaj vendimit të Themelore, kjo pasi Gjykata e Pejës i kishte dërguar aktgjykimi viktimës pasi rasti kishte marrë hovin mediatik.

Në rigjykim Gjykata e shkallës së parë, më 13.05.2023 P. K. e shpalli fajtor duke e dënuar me 5 vite e 6 muaj dënim me burgim.

Kurse Apeli më 10.05.2023 merr vendim duke i ulur P. K.  dënimin me burgim nga 5 vite e 6 muaj në vetëm 2 vite dënim me burgim.

Rrjedha e ngjarjes

Një vajzë 15-vjeçare nga Gjakova ishte kidnapuar në vitin 2012 dhe më pas ishte dhunuar seksualisht nga tre persona.

Dosja tregonte se ajo u kidnapua me armë të ftohtë dhe më pas u dhunua gjatë tërë natës.

Disa vite më vonë Prokuroria e kishte arrestuar të dyshuarin dhe në një proces skandaloz Gjykata e Pejës e kishte dënuar dhunuesin me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim.

Në tetor 2021 Zyra Ligjore e KALLXO.com gjurmoi dosjen e kësaj lënde për të zbardhur fakte skandaloze për mënyrën e trajtimit të kësaj lënde.

Dhunuesi e kishte pranuar fajësinë në Gjykatë ndërsa Gjykata pa e ftuar viktimën dhe pa i trajtuar të gjitha provat kishte vendosur që të njëjtin ta dënonte vetëm 8 muaj burg për krimin monstruoz.

Të dhënat tregonin që me vendimin ishte pajtuar edhe Prokuroria e Pejës.

Çështja mori dhenë pas 25 tetorit kur KALLXO.com publikoi artikullin me titull “Skandal – Gjykata e Pejës e dënon me vetëm 8 muaj burg dhunuesin e 15-vjeçares”.

Artikulli denonconte gjykatësen Florie Zatriqi si vendimmarrësen në këtë proces e po ashtu denonconte prokuroren e rastit, Lirije Morina, e cila nuk kishte bërë ankesë ndaj vendimit të gjykatës.

Hulumtimi zbardhi se tërë përjetimi i vajzës 15-vjeçare ishte amnistuar dhe kryerësi ishte shpërblyer vetëm me rrethana lehtësuese.

Sipas dosjes së publikuar, gjykatësja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Interesant është edhe fakti se në aktgjykim përshkruhet se prokurorja e rastit Lirije Morina nuk ka kërkuar që të merret parasysh asnjë rrethanë rënduese, mirëpo e njëjta ka kërkuar që parasysh të merren vetëm ato lehtësuese.

Më e dhimbshmja ishte se në mesin e aktgjykimit përmendej që tashmë viktima ishte martuar dhe kishte fëmijë dhe kjo lëndë duhet të kishte dënim më të ulët.

Dosja e arkivuar u rihap pas 25 tetorit 2021 kur u publikua hulumtimi.

Gjykatësja e rastit Florije Zatriqi fillimisht u suspendua e më pas me një vendim të KGJK-së ishte degraduar në pozitë.