FOTO KALLXO

Hulumtimi i KALLXO.com, Gjykata Supreme konfirmon suspendimin e gjykatëses Florije Zatriqi

Gjykata Supreme e ka konfirmuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për suspendimin e gjykatëses Florije Zatriqi, duke refuzuar kështu ankesën e kësaj të fundit, të cilën e ka vlerësuar të pabazuar.

Gjykatësja Florije Zatriqi ishte suspenduar nga KGJK pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com lidhur me dhunimin e një të miture.

Gjykata Supreme e ka pranuar si të ligjshëm dhe të drejtë vendimin e KGjK-së pasi, sipas saj, i njëjti është i bazuar në ligj, duke pranuar kështu si të bazuara të gjitha konstatimet faktike dhe juridike të KGjK-së.

Gjykata Supreme i ka konsideruar si të pabazuara pretendimet e gjykatëses Zatriqi që ndryshimi i ligjit ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2021 ndërsa shkelja e supozuar ka ndodhur në korrik të vitit 2021, kur në fuqi ka qenë ligji që nuk ka paraparë mundësinë e suspendimit përveç në rastet e ndonjë hetimi penal.

“Ndryshim i Ligjit ka hy ne fuqi 15 dite pas publikimit, pikërisht më datën 06.11.2021, ndërsa vendimi i ankimuar është nxjerre më datën 08.11.2021. Në Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji janë gjithsej tri nene, ndër te cilat nuk ka dispozite kalimtare dhe te fundit e cila kishte për te orientuar në atë se zbatohet apo nuk zbatohet për shkeljet e me parme disiplinore te supozuara.. “ thuhet në arsyetim të vendimit të Gjykatës.

Tutje Gjykata i ka gjetur si të pabazuara edhe pretendimet e gjykatëses Zatriqi se nuk janë plotësuar kushtet kumulative për suspendimin e saj.

“Gjykata Supreme konsideron se qe të tri këto kushte janë plotësuar në rastin e suspendimit te gjyqtares Florije Zatriqi ngase kundër saj është filluar një hetim për shkelje disiplinore nga një autoritet kompetent dhe shkelja e supozuar disiplinore është mjaft serioze, dhe në fund kjo masë e suspendimit mundëson zhvillimin e një hetimi te paanshëm dhe efektiv të përgjegjësisë disiplinore te ankueses-gjyqtares Florije Zatriqi”, thuhet tutje në arsyetimin e Gjykatës.

Tutje Gjykata Supreme e ka pranuar në tërësi konstatimin e KGjK-së se suspendimi i gjykatëses nuk prejudikon zhvillimin e procedurës disiplinore por e lehtëson procesin e hetimit disiplinor.

Ditë më parë KALLXO raportoi se si gjyqtarja Florije Zatriqi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin seksual të një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit dënimi i paraparë në këso raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Për këtë rast ka pasur reagime nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com lidhur me dënimin prej 8 muajsh për dhunimin e të miturës nga Gjakova, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi ta suspendojë nga puna gjyqtaren e rastit.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga KGJK.

Suspendimi i gjyqtares Florije Zatriqi është bërë deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor.

Nga hulumtimi i KALLXO.com është konstatuar se përpos dënimit të pazakontë, i pazakontë ka qenë edhe vendimi mbi arsyetimin e dënimit pasi që gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15-vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K. së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas Prokurorisë, pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15-vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K. e kishte pranuar fajësinë.

Në fund të vendimit gjyqtarja e kishte arsyetuar dënimin e ulët të shqiptuar ndaj P.K. duke u bazuar të rrethanat lehtësuese se ai kishte pasur sjellje korrekte, kishte shprehur keqardhje, e kishte pranuar fajësinë, gjatë aktit viktima nuk kishte pësuar lëndime, nuk është i dënuar më parë, ndaj tij nuk ka ndonjë procedurë tjetër, ka qenë i moshës 21-vjeçare, ka qenë i papjekur, ka fëmijë dhe se nga koha kur është kryer vepra penale tashmë kanë kaluar gati 10 vite.

Për më tepër edhe më të rëndë këtë rast e bën fakti se tashmë i dënuari P.K. nuk do të dërgohet asnjë ditë në burg pasi këtë kohë i akuzuari e ka kryer në paraburgim.