Haxhiu për vetingun në drejtësi: S'mundet që të kalojë një vit për të marrë një mendim nga Kushtetuesja

Në një konferencë që u thirr për të folur lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu foli edhe për vetingun në drejtësi.

Ajo tha nuk mund të kalojë një vit për të marrë një mendim nga Gjykata Kushtetuese.

“Unë po uroj që Gjykata Kushtetuese t’i trajtojë me ndjesinë e njëjtë sikurse ne si Qeveri për faktin se reformat në drejtësi para së gjithash dhe mbi të gjitha bëhen për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe thjesht nuk mundet që të kalojë një vit deri sa të marr një mendim prej Gjykatës Kushtetuese” – tha ministrja.

Tutje ajo shtoi se ngjashëm është edhe rastin me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Ne po presim nga Gjykata Kushtetuese vendimin në qoftë se amendamentet kushtetuese janë në linjë me kapitullin të kushtetutës së vendit, sapo të marrim këtë sigurisht që do ta adresojmë në Kuvend” – tha Haxhiu.

Sipas saj, përkrahës kësaj ata janë duke punuar edhe me deklaratën e zotimeve që është pjesa e dytë e reformës ku do të fuqizohen mekanizmat e brendshëm brenda sistemit të drejtësisë për disiplinim dhe integritet.

“Edhe këtu konsideroj që jemi në rrugë të mbarë dhe besoj që ndryshimet e pjesës së dytë të reformës deri në tre mujorin apo katër mujorin e parë të vitit të ardhshëm do të procedohen në kuvend” – shtoi Haxhiu.

Më 2 mars 2023, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kishte njoftuar se pas përfundimit të punës së Komisionit Ad Hoc për vetingun në sistemin e drejtësisë, i ka përcjell amendamentet Kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka thënë se i ka dërguar për të marrë përgjigje nëse të njëjtat janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në maj të 2022-tës, Krerët e lartë të shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kishin pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, për të diskutuar rreth procesit të Vetingut dhe rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit.

Presidenca e Kosovës kishte njoftuar se në takim është diskutuar bashkërendimi i institucioneve të Kosovës me shtetet e QUINT-it dhe BE-së rreth procesit të Vetingut në Kosovë.

Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media kishin bërë të ditur opinionin nga Komisioni i Venecias për prezantimin e procesit të vetingut e procesit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas Kurtit, Kosova tashmë kishte marrë dritën e gjelbër për vetingun, i cili do të fillojë jetësimin qysh sot pas një pune një vjeçare të Ministrisë së Drejtësisë.