Ilustrim

Vendimi i BQK-së, nga 1 shkurti ndalohet ri-qarkullimi i kartëmonedhës 500 euroshe nga institucionet financiare bankare dhe jo-bankare

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme e cila hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024.

Sipas rregullores së re, “institucionet financiare bankare dhe jo-bankare obligohen që të ndalojnë ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë prej 500 euro”.

Që nga viti 2019, shumica e bankave qendrore të eurozonës kanë ndaluar printimin e kartëmonedhës 500 euroshe.

Në rregulloren e re e cila hyn në fuqi më 1 shkurt thuhet se “personat fizik dhe personat juridik që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi pavarësisht nga shuma”, kjo me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara.

Gjithashtu, Bordi i BQK-së ka vendosur që “asnjë person fizik apo juridik nuk mund të ofrojë shërbime të depozitimit apo të tërheqjes së parave të gatshme përmes ndonjë lokacioni me shërbim fizik apo përmes ndonjë pajisje apo makine që përdoret nga klienti, në emër të ofrimit të shërbimeve financiare pa posedim të licencës dhe autorizimit nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës”.

BQK del me manual për identifikimin e monedhave false nga 2 euro deri në prerjen 500-she