Vdes nga coronavirusi një mjek nga Vushtrria

Pandemia e COVID-19 mori jetën e shtatë mantelbardhëve.

Mbrëmë coronavirusi qe fatal edhe për mjekun familjar nga Vushtrria, Safet Idrizi.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Oda e Mjekëve të Kosovës.

Njoftimi i OMK:

Humb betejën me koronavirusin mjeku familjar nga Vushtrria

Ndahet nga jeta Dr. Safet Idrizi

Dr. Idrizi ka qenë specialist i mjekësisë familjare dhe i ka shërbyer shëndetësisë primare në QKMF Vushtrri, ku nuk e kishte ndërprerë punën as gjatë pandemisë dhe vijonte tu shërbente qytetarëve. Po ashtu gjatë luftës dha një kontribut të jashtëzakonshëm duke ju bashkuar radhëve të UÇK-së si mjek në Zonën Operative të Drenicës.

Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për më shumë se 30 vite komunitetit të tij.   

Oda e Mjekëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.

IKShPK dje ka njoftuar se brenda 24 orëve në nivel vendi kanë vdekur tre persona si pasojë e infeksionit me COVID-19, përderisa numri në total i vdekjeve nga pandemia ka arritur në 681.

Dje është shënuar rekord i ri i rasteve të infeksionit me SARS-CoV-2 në Kosovë, 514 raste.

Shtatë mantelat e bardha që nuk do të vishen më