Foto: Pixabay
Kuvendi i Prishtinës merr vendim për themelimin e Poliklinikës Stomatologjike Specialistike
Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka marrë vendim për themelimin e Poliklinikës Stomatologjike Specialistike të kryeqytetit.
Drejtori i Shëndetësisë i Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku, bëri të ditur se në këtë klinikë do ketë kryesisht shërbime të nivelit sekondar.
Përmes këtij vendimi do ketë avancim të statusit të Klinikës Stomatologjike të qytetit.
Sadiku para asamblistëve shpalosi nevojën që ka kryeqyteti për një klinikë të tillë. Sipas tij, në bazë të të dhënave që kanë nga kontrollet sistematike në shkolla fillore, përqindje e lartë e nxënësve kanë dhëmbë me karies.
“Nuk ka shumë të dhëna për këtë fushë, por kemi prej vizitave sistematike që janë bërë te nxënësit e shkollave fillore, nga viti 2015. Në vitin 2015, klasa IX, 94% kanë qenë me karies, derisa në vitin 2019 kanë qenë 82% që tregon për një situatë goxha të rënduar të fëmijëve në Prishtinë” – ka thënë Sadiku.
Izet Sadiku potencoi se vitin e kaluar në shërbimin stomatologjk në Prishtinë kanë qenë mbi 55 mijë vizita.
Sipas tij, funksionalizmi sekondar do mbushte boshllëkun në këtë sektor.
“Funksionalizmi sekondar do rregullonte sistemin shëndetësor stomatologjik duke mbushur zbrazëtirën mes shërbimit primar dhe terciar” – shtoi ai.
Drejtori i Shëndetësisë tutje bëri të ditur se në Prishtinë janë 9 stomatologë të përgjithshëm, 11 stomatologë specialistë të pedodoncisë, 5 specialistë me kontrata të rregullta dhe 19 specialistë të fushave të ndryshme që nuk kanë kontratat të rregulluara, por funksionojnë me licenca të punës.