Prokuroria dhe Inspektorati Shëndetësor hetojnë vdekjen e një gruaje në Ferizaj

Vdekja e një gruaje 41-vjeçe është duke u hetuar nga Prokuroria e Ferizajt dhe duke u inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor.

Inspektimi i ISh-së është duke u kryer në një poliklinikë private në Ferizaj lidhur me këtë rast.

Viktima ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Spitali, Selajdin Sallahu, tha se ajo është dërguar atje pa shenja jete.

“Prej aty, kur ka ardhë te na, sipas informatave të mjekut emergjent që ka qenë kujdestar, ka qenë pa shenja jete” – u shpreh Sallahu për KALLXO.com.

“Rreth gjetjeve në institucionin e lartpërmendur, masat do të  merren varësisht nga gjetjet pas inspektimit, për të cilat do të ju njoftojmë me një raport preliminar nga inspektorët e rastit” – tha Inspektorati Shëndetësor për KALLXO.com.

Prokuroria e Ferizajt tha se është në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Në këtë fazë, Prokuroria tha se nuk mund të japë detaje të tjera.

Sipas Inspektoratit, poliklinika “Pharm Aorta”, e cila po inspektohet, është licencuar nga Ministria e Shëndetësisë më 4 shtator 2021.

KALLXO.com ka kontaktuar me themeluesin e kësaj poliklinike, doktor Sylejman Topallin, për të marrë informacione për këtë rast, mirëpo Topalli nuk ka pranuar të flasë.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, tha se janë të informuar për rastin dhe po presin raportin dhe gjetjet e Inspektoratit.