Seanca gjyqësore ndaj Rrustem Gashit (29.05.2024), Foto: KALLXO.com

Vdekja e fëmijës, anesteziologu nuk e pranon fajësinë në akuzën për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Rrustem Gashi, i cili po akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor për një rast që ka ndodhur në vitin 2006.

Sipas aktakuzës, nga veprimi i të pandehurit Rrustem Gashi kishte vdekur një fëmijë, pasi i njëjti si anesteziolog primar kishte filluar operimin e fëmijës, pa analiza të domosdoshme, pa marrë pëlqimin e prindit të fëmijës dhe duke mos e marrë për bazë mendimin e pediatrit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokuroria, i akuzuari deklaroi se nuk ndihet fajtor për veprën penale për të cilën po akuzohet.

“Nuk ndihem fajtor për këtë vepër penale” – deklaroi i akuzuari Rrustem Gashi në seancën e datës 29.05.2024.

Prokurore në këtë rast është Javorka Përlinçeviq.

Seanca e datës 29.05.2024 ka filluar me vonesë për shkak të vonesës së avokates së të akuzuarit Rrustem Gashi. Për këtë seancë ishte planifikuar që të dëgjoheshin të paktën fjalët hyrëse por të njëjta janë shtyrë për në seancën e radhës. Këtë e bëri të ditur trupi gjykues në përbërje nga kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi dhe anëtarët Gent Beka dhe Eroll Gashi.

Kosovare Kelmendi, avokatja e të akuzuarit tha që Prokuroria në këtë rast do të duhej të hiqte dorë nga aktakuza.

“Ne të gjithë jemi detyruar të veprojmë sipas sugjerimeve të Gjykatës së Apelit dhe bazuar këtyre sugjerimeve pa asnjë keqkuptim prokuroria do të duhej të hiqte dorë nga aktakuza, sepse as mbrojta nuk ka asnjë interes që të dëgjoj të gjithë ata dëshmitarë. Mos harroni se shkaku i vdekjes është arresti kardiak dhe anesteziologu nuk operon siç e keni përshkruar” – shtoi tutje avokatja Kosovare Kelmendi.

Gjykata e ndërpreu shqyrtimin gjyqësor dhe e njëjta do të vazhdojë më 20.06.2024.

Lidhur me këtë rast, anesteziologu Rrustem Gashi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Më 29.03.2019 Gashi ishte dënuar me dy vjet dënim me burgim me kusht, nëse i njëjti brenda periudhës kohore prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale.

Me këtë vendim të Gjykatës së Prishtinës nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, duke e kthyer rastin në rigjykim.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 26.11.2006, i pandehuri Rrustem Gashi si doktor – anesteziolog primar, ka filluar operimin e fëmijës A.H dhe atë sipas gjendjes shëndetësore urgjente të tij, pa analiza të domosdoshme, pa marrë pëlqimin e prindit të fëmijës e duke mos e marrë për bazë mendimin e pediatrit.

Më tej në aktakuzë thuhet se operacioni ka zgjatur dy orë për këtë nuk janë siguruar mjetet e domosdoshme para fillimit të operacionit – oksigjeni. Aktakuza vijon duke shpjeguar se gjatë operacionit është ndalur rryma dhe mjekët kanë vazhduar operacionin me ndihmën e baterive të cilat i kanë pasur në xhep dhe me dritat e telefonave celular.

Në këtë rast fëmijë i ishte përkeqësuar gjendja në përfundim të operimit kur ka filluar faza e zgjimit nga anestezioni. Në aktakuzë thuhet se fëmija kishte ndërruar jetë në tavolinën e sallës së operimit.

Prokuroria e akuzon Rrustem Gashin se në këtë rast ka kryer veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”.