Vazhdojnë zjarret në parkun kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, Fatmir Morina, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se zjarret në zonën e parkut dyshohet se janë shkaktuar qëllimisht dhe hetimet kanë filluar nga prokuroria dhe Policia.

“Shkaktari është dora e njeriut, nuk ka diskutim aty dhe dyshimet janë që mundet me qenë edhe e qëllimshme. Ne e kemi njoftuar edhe prokurorinë dhe policinë dhe për drejtorinë zjarret janë të dyshimta”, ka thënë Morina.

Ai gjithashtu tha se zjarri nuk është shuar tërësisht, por është lokalizuar dhe deri më tani janë duke u bërë përpjekjet maksimale, ku gjatë ditës së sotme ka pasur edhe staf shtesë.

“Zjarri ende nuk është shuar tërësisht, por është lokalizuar goxha shumë. Gjitha përpjekjet maksimale janë duke u bërë, sot kemi pasur edhe staf shtesë prej zjarrfikësve dhe kanë qenë të gjithë punëtorët e drejtorisë tonë. Por është bukur vështirë pasi ka shtrirje të madhe, është zjarr sipërfaqësor, por që është problem me e ndalë, sepse temperaturat e larta dhe bari është i tharë”, ka deklaruar Morina.

Sipas drejtorit Morina, është konsideruar edhe kërkesa për ndihmë nga KFOR-i, por sipas tij, është Agjencia e Urgjencave që e bën një vlerësim të tillë dhe deri më tani nuk është paraqitur nevoja për të kërkuar ndihmë nga ana e KFOR-it.

Zjarri del jashtë kontrollit në ‘Bjeshkët e Nemuna’ – FOTO