Ilustrim

Varroset gruaja shtatzënë që u vra në oborrin e QKUK-së

Trupi i pajetë i gruas shtatzënë, e cila dyshohet se është vrarë nga burri i saj në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është varrosur sot në fshatin Llugaxhi të Lipjanit.

Të pranishëm gjatë varrimit janë parë zyrtarë komunal të Lipjanit, kryetari i Komunës, Imri Ahmeti,  kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Autopsia e 35 vjeçares është bërë dje, ndërsa nuk janë dhënë detaje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

E njëjta më 30 nëntor 2022 u vra në oborrin e QKUK-së ndërsa ishte duke qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë pasi ishte në prag të lindjes së një foshnje..

Burri i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati.

Gruaja kishte një urdhër mbrojtje që nga shtatori i këtij viti, vlefshmëria e së cilit ishte deri në mars të vitit 2023.

Deri te urdhri i mbrojtjes erdhi një rast i mëhershëm i raportuar për dhunë në familje më konkretisht në korrik të këtij viti.