Varianti i ri i virusit, IKShPK bën thirrje që të respektohen masat

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka përsëritur thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, pas paraqitjes së rasteve të reja me variantin e ri të virusit.

IKShPK ka deklaruar se masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitivë duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet, e që sipas tyre, me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.

Instituti ka rekomanduar që të qëndrohet në shtëpi, të ndalohen në mënyrë rigoroze takimet, tubimet, respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike si dhe kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke redukuar edhe kohën  e punës gjatë ditës.

“IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e  numrit të vdekjeve. IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19″, thuhet në postimin e tyre në “Facebook”.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë”, thuhet tutje. 

IKShPK ka apeluar tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 501 gjoba për qytetarët që nuk kanë respektuar masat kundër COVID-19.

Në anën tjetër, subjektet politike po vazhdojnë të mbajnë tubime me qindra persona në kohë parafushate për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Vetëm Komuna e Prishtinës po gjobit partitë deri me 2 mijë euro për mbajtjen e këtyre tubimeve në kundërshtim me masat e institucioneve për parandalimin e pandemisë.

Sipas vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të datës 15 janar, në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, kurse në sheshe publike parqe dhe vende publike, lejohet grumbullimi deri në 50 persona.

Brenda 24 orëve të fundit, 6 persona kanë vdekur dhe 287 raste të reja janë regjistruar.

Tri mostra nga 30 të tilla të dërguara në Gjermani për verifikim kanë rezultuar pozitive me variantin e ri të COVID-19.