Foto: REL/Reuters

Kosova edhe më tej do t’i dërgoj mostrat në Gjermani për testimin e variantit të ri të COVID-19

Tri mostra nga 30 të tilla të dërguara në Gjermani për verifikim kanë rezultuar pozitive me variantin e ri të COVID-19.

Sipas drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, Kosova tashmë ka pajisje për testimin e variantit të ri, por që sekuencionimi i mostrave është shumë i ndjeshëm.

Ramadani në një konferencë për media të premten tha se edhe më tutje do t’i dërgojnë mostrat në Gjermani pasi pajisjet janë ende në fazën e testimit dhe se nevojitet bashkëpunim me Institute të tjera për verifikimin e këtij varianti.

“Tri mostrat që kanë rezultuar pozitiv janë lokalizuar e gjurmuar, personat tashmë janë shëruar duke marrë trajtimin e duhur. Pajisjet i kemi në Qendrën e IKSHPK por sekuencionimi është shumë i ndjeshëm. Nëse paraqitet nevoja do të dërgojmë përsëri mostra për testim pasi duhet verifikim. Pajisjet që i kemi janë në fazën testuese dhe shpresojmë që shumë shpejtë do të testojmë. Sikurse për çdo coronavirus të ri nevojitet bashkëpunim me Institute të tjera. Aktualisht jemi në bashkëpunim me Institutin Robert Koch. Nuk jemi vonë, jemi njëlloj sikurse me shtetet e tjera të identifikimit të variantit të ri”, ka thënë Ramadani.

Sipas Ramadanit, mostrat e dërguara në Gjermani janë mostra të marra gjatë muajit janar.