Foto: INGIMAGE

Vaksinat kundër COVID-19 mbrojnë më shumë sesa vetëm shëndetin tonë fizik 

Hulumtimi i ri ka zbuluar një përfitim dytësor për vaksinën kundër koronavirusit, dhe të gjeturat janë vërtet befasuese.

Mbrojtja kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes është qëllimi kryesor, por studiuesit zbuluan se njerëzit që vaksinohen vetëm një herë përfitojnë në një mënyrë tjetër. Cilat janë ato përfitime? Përgjigjen mund ta gjeni në artikullin si më poshtë.

Vaksinimi i jep dikujt një përfitim të qartë, të pa mëdyshje: mbrojtjen kundër sëmundshmërisë së rëndë dhe një ulje të konsiderueshme të rrezikut të vdekjes nga COVID-19 në rast se infektoheni. Edhe nëse ky ishte përfitimi i vetëm, vaksina do të ishte një mrekulli. Mirëpo kohët e fundit, kanë dalë studime që tregojnë për disa përfitime dytësore të kësaj vaksine, dhe njëra prej tyre është befasuese.

Njerëzit e vaksinuar mund të ndiejnë përmirësim të ndjeshëm në shëndetin e tyre mental, sipas një studimi të ri të botuar në revistën PLOS One. Studiuesit monitoruan dhe gjurmuan pjesëmarrësit të cilët morën dozën e parë të ndonjë prej tre vaksinave kundër koronavirusit (Johnson & Johnson, Moderna ose Pfizer) midis Dhjetorit 2020 dhe Marsit 2021.

Ata zbuluan se ata që ishin vaksinuar kishin më pak gjasa të vuanin nga simptoma të buta deri të moderuara të depresionit në krahasim me ata të pavaksinuarit, përfshirë njerëzit që donin të vaksinoheshin por nuk mund të ishin pjesë e studimit në fjalë – studim ky i cili u krye në prag të fillimit të fushatës globale të vaksinimit, në një kohë kur grupet e rrezikut kishin prioritet, dhe jo të gjithë në secilën grupmoshë mund të vaksinoheshin.

Një grua vaksinohet (Foto: Flash90)

Epidemia e koronavirusit dhe shëndeti mendor

Sondazhet dhe studimet e kryera në të gjithë botën që nga fillimi i pandemisë tregojnë një rritje të qartë dhe të theksuar të problemeve të shëndetit mendor që rezultojnë nga kjo krizë globale e shëndetit. Autoritetet e shëndetit dhe mirëqenies gjithashtu raportuan një rritje të kërkesave për ndihmë dhe trajtim nga njerëzit që nuk kishin pësuar më parë probleme që shkaktonin ankth, siç është papunësia.

Edhe para COVID-19, ekspertët e shëndetit mendor i ndërlidhën shqetësimet e shëndetit dhe mirëqenies me rritjen e niveleve të stresit dhe ankthit. Përhapja e pandemisë në të gjithë botën bëri që edhe njerëzit në përgjithësi të shëndetshëm të fillojnë papritmas të përjetojnë ankth dhe të ndjehen të shqetësuar për shëndetin e tyre, gjë që rriti ndjeshëm rastet e stresit, depresionit dhe ankthit.

Një i ri merr vaksinën (Foto: Flash90)

Si mund të ndihmojë vaksina? 

Ankthi i shkaktuar nga pandemia ka shkaqe të tjera, përveç shqetësimeve shëndetësore.

Për shembull, shumë njerëz kanë vuajtur nga stresi dhe ankthi që pandemia i shkaktoi statusit të tyre të punësimit dhe sigurisë ekonomike si rezultat i efekteve të tij dytësore në furnizuesit dhe sistemet ekonomike në të gjithë botën.

Studiuesit në studimin e tanishëm nuk mund të përcaktojnë përse vaksinimi i bën njerëzit papritmas të ndihen më mirë gjatë përballjes me ankthin dhe stresin. Ndoshta, është një kombinim i disa faktorëve.

Së pari, njerëzit e vaksinuar mund të kenë më pak frikë të infektohen dhe të sëmuren. Për shkak të kësaj, ata janë më aktivë nga ana shoqërore dhe mund t’i bëjnë disa punë të cilat të pavaksinuarit nuk i bëjnë dot. Hulumtimet e kaluara tashmë kanë vendosur efektin e dëmshëm të distancës sociale dhe izolimit në shëndetin mendor të njerëzve, dhe vaksina i zvogëlon ato gjithashtu.

Sidoqoftë, studiuesit theksuan se ata nuk pretendojnë se vaksina mund të jetë një zgjidhje për probleme të ndryshme të shëndetit mendor të shkaktuara nga COVID-19. Por gjetjet e tyre ende duhet të trajtohen si një rezultat tjetër dytësor që rezulton nga marrja e vaksinës.

Hulumtuesit gjithashtu thanë se është krejt e mundur që efekti i vaksinës në elasticitetin mendor të jetë edhe më i madh se sa studimi i tyre ishte në gjendje të përcaktonte dhe se mund të përfitonte edhe nga të pavaksinuarit.

Edhe njerëzit e pavaksinuar mund të ndihen më të sigurt dhe më pak të shqetësuar pranë njerëzve të vaksinuar ose duke e ditur që miqtë dhe të dashurit e tyre janë të vaksinuar – duke zvogëluar kështu nivelin e tyre të ankthit ndaj tyre. Gjithashtu, të pavaksinuarit mund të gëzojnë pasojat pozitive për ekonominë dhe shoqërinë që janë bërë të mundshme me rritjen e numrit të të vaksinuarve: rihapja e shkollave për mësim, kthimi në vendet e punës dhe ndërveprimi me kolegët e punonjësve, rihapja e restoranteve dhe filmave, ndër të tjera.

Përktheu: Nuhi Shala