Urgjenca e progresit në dialogun me Serbinë - temë e takimit të presidentes me zyrtarët amerikanë

Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka pritur në takim ndihmës-sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, dhe zëvendës-ndihmës sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar.

Osmani- Sadriu pas takimit tha se gjatë takimit është diskutuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo tha se theksoi para diplomatëve amerikanë shqetësimin për moszbatimin e marrëveshjeve nga Serbia të nënshkruara në Bruksel dhe mosshpërbërjen e strukturave paralele në Kosovë.

Presidentja Osmani- Sadriu vlerësoi se marrëdheniet e Kosovës me vendet e tjera nuk duhet të përcaktohen nga dialogu me Serbinë.

“Jam e nderuar që të mirëpres sot delegacionin sot nga ShBA. Sot Evropa është në një udhëkryq historik dhe politik, derisa po flasim po përcaktohet historia e kontinentit tonë. Natyrisht që ne sot diskutuam urgjencën për progres në dialog të përqendruar në njohjen reciproke. Theksova sot që  ne jemi palë konstruktive. Shfrytëzova sot rastin të shpreh keqardhjen tonë për mos zbatimin e shumë marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia në Bruksel, por jo të zbatuara e gjithashtu edhe për hezitimin saj për mosshpërbërjen e strukturave paralele serbe që vazhdojnë të jenë sfidë serioze e sundimit të ligjit dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga ShBA-të. Marrëdhëniet tona nuk do të duhej të përcaktoheshin nga dialogu me Serbinë”, tha ajo.

Ndihmësja-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka falënderuar Kosovën për gatishmërinë për pritjen e refugjatëve ukrainas dhe atyre afganë.

Donfried tha se ShBA është krenare të quajë Kosovën partnerë të tyre.

“Të gjithë ne duhet të luftojmë për të përmbushur nevojat e qytetarëve tanë, kjo do të thotë avancim në përpjeke që Kosova të marrë vendin e duhur në institucionet evropiane. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me ju. Unë e di që Lufta në Ukrainë në shumë raste i ka hapur kujtimet e hidhura të Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë krenare që Kosovën mund ta quajnë partnere të tyre”, tha ajo.