Foto: Kallxo.com

UP kërkon ‘mbikëqyrje por jo kontroll’ nga politika

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të 50-të themelimit të Universitetit të Prishtinës sot është  organizuar konferenca me rektorët e universiteve publike.

Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” tha se ndryshimet e një vendi nuk duhet kërkuar në politikë por nga universiteti.

“Ndryshimet e shoqërisë nuk duhen kërkuar nga politika por nga universitetet tona, sepse nga aty kanë dalë elita politike e sotme, duke filluar që nga kryeministri, ministrat, rektorët e prorektorët,” tha rektori Dema.

Ai kërkoi që arsimi të jetë prioriteti qeverisë së re dhe se ky gjysmë shekulli të shërbejë si reflektim për kërkesat e studentëve dhe nevojave të tregut.

“Lus dhe kërkoj që arsimi të jetë prioritet i qeverisë së re, që universitetet publike të jenë katalizator i një vendi. Ndërhyrjet politike na kanë kushtuar me përjashtim nga ENQA dhe EQAR. Universitetit i duhet mbikëqyrje por jo kontroll, i duhet liri e jo burokraci dhe i duhen ndryshime reale dhe jo premtime. Gjysma e shekullit që Universiteti mbushi duhet të jetë reflektim për t’i përmbushur nevojat e studentëve dhe tregut. Ne duhet të shfrytëzojmë potencialin e rinisë sonë dhe të investojmë,” tha Marjan Dema.

Ai gjithashtu bëri të ditur se që nga sot studentët e departamentit të Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës, do të kenë mundësi të regjistrojnë storjet e tyre pasi që sot do të bëhet përurimi i radios së Universitetit “Hasan Prishtina”.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai premtoi se arsimi do të jetë prioritet i qeverisë së tij.

“Në mandatin tim do të rris investimet dhe do të ketë reformë në arsim që ta përgatisë Universitetin për sfidat e kohës sonë. Por njëherë duhet te dimë ku jemi dhe e kemi parasysh që nuk jemi ashtu si duhet. Koha dhe momenti është tash, nuk ka pasur qeveri më të interesuar për zhvillimin e arsimit i cili është parakusht për zhvillim të një vendi,” theksoi kryeministri.

I pari i qeverisë tha se universitetet duhet të sigurojnë cilësi në arsim.

“Në gjysmën e parë Universiteti ka përgatitur gjenerata për çlirimin e vendit, në gjysmën e dytë të shekullit të parë të tij duhet t’i përgatisë ata për vendet e reja të punës të cilat sot përcaktojnë diplomën që duhet studentët të marrin. Universiteti duhet të sigurojë cilësi në arsim dhe garë për dije dhe dijen si vlerë,” tha Kurti.

Hykmete Bajrami, ministre e Arsimit, tha se do të sigurojnë bazë ligjore që politika t’i mbajë duart larg arsimit.

“Ju garantoj se do të kujdesem që të vëmë bazë ligjore që politika të mbajë duart larg nga universiteti. Kjo do të detyrojë edhe qeveritë e tjera që të respektojnë pavarësinë e institucioneve arsimore,” tha Bajrami.

Ajo shtoi se fleksibiliteti i buxhetit të krijuar nga qeveria e mëhershme lë për të dëshiruar prandaj tha se rritja e buxhetit të arsimit është edhe pjesë e marrëveshjes së koalicionit LDK-VV.

“Ne gjithashtu do ta rishikojmë Ligjin për Arsim të Lartë që të kemi rritje të cilësisë dhe burime te reja financiare për universitetin publik,” tha ministrja Bajrami.

Bajrami tha se do të themelojnë Këshillin e Shkencës dhe Fondin Kombëtar të Shkencës, për të mbështetur projekte shkencore si dhe Fondin e Eskelencës, që do të mbështesë gratë që zgjedhin për studim drejtimet natyrore.

Hykmete Bajrami premtoi se Këshilli Shtetëror i Cilësisë do të depolizohet, nuk do të ketë ndërhyrje por do të kërkojnë llogaridhënie.

Bajrami gjithashtu tha do të ndihmojnë universitet publike që nuk janë akredituar por pa ndërhyrje.

Nataliya Apostolava, shefja e zyrës së BE në Kosovë, tha se Kosova duhet të fokusohet në përgatitjen e kuadrove për punë, që të jetë e konkurrueshme në treg të botës.

“Duhet të krijojmë ndryshime në aspektin e arsimit. Kosova duhet të investojë në arsim e cila është garanci për konkurrueshmeri në treg botëror. Mua me fascinon këmbëngulësia juaj për të ndjekur arsimin. Vijimi i arsimi nga ana e rinisë në Kosovë është sa dyfishi i mesatares në Evropë,” tha Apostolova.

Ajo tha se BE-ja do të investojë 31 milionë euro në arsim në Kosovë në projekte arsimore.

Ambasadori i Austrisë, Christoph Weidingner tha se Agjensia e Akreditimit duhet të jetë e pavarur dhe se universitet duhet të përgatisin rininë për tregun e punës.

“Agjensia e akreditimit duhet të jetë e pavarur nga politika. Universitetet duhet të përgatisin rininë për tregjet e punës dhe të ngrijnë cilësinë, të kenë transparencë më të lartë”, tha Weidingner.