Ukraina, Foto: Presidenca ukrainase

Ukraina kërkon qasje në vendin e shpërthimit të raketës në Poloni

Ukraina ka kërkuar qasje të menjëhershme në vendin e shpërthimit në Poloni, aty ku ka rënë një raketë, e cila fillimisht u pretendua se ishte nga Rusia, ndërsa më vonë u tha se mund të jetë e mbrojtjes ajrore ukrainase.

“Ukraina kërkon qasje të menjëhershme në vendin e shpërthimit”- ka shkruar në Twitter sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov.

Ai gjithashtu thotë se Kievi është gati të dorëzojë prova për pretendimet e tij se Rusia ishte përgjegjëse për goditjen, pas akuzave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky kundër Moskës.

Kremlini ka mohuar të ketë lidhje me shpërthimin. Udhëheqësit perëndimorë kanë qenë rezistentë për të fajësuar Moskën, me presidentin e SHBA-së Joe Biden, i cili ka thënë se nuk ka gjasa që raketa të ketë ardhur nga Rusia.

Në postimin e tij në Twitter, Danilov gjithashtu u bën thirrje aleatëve të Ukrainës që të japin informacionin që ka bërë që disa të arrijnë në përfundimin se ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase ajo që vrau dy persona.

Polonia tutje i është përgjigjur thirrjeve të Ukrainës për t’i dhënë “qasje të menjëhershme” në vendin e shpërthimit të raketës së djeshme.

Andrzej Duda, presidenti polak, tha se si vendi i tij ashtu edhe SHBA-të cilët po kryejnë hetimin për atë që ndodhi dje – do të duhej të miratonin përfshirjen e Ukrainës.

“Procedurat kryhen nga ekspertë polakë dhe amerikanë,” tha Andrzej Duda në një konferencë shtypi këtë pasdite, “dhe nëse dikush do të lejohej të merrte pjesë në këto procedura, do të duhej të paktën marrëveshja e të dyja palëve”. /BBC