Ujë i pijshëm nga lagështira në ajër
Qasja tek uji i pijshëm po bëhet gjithnjë më e vështirë në shumë pjesë të botës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, një kompani po përdor risitë teknologjike për të ndihmuar në trajtimin e këtij problemi në komunitetet në nevojë në Shtetet e Bashkuara.
Uji i pijshëm i sigurt është një burim jetësor që u mungon një ndër tre personave në botë, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në këto kushte janë edhe dy milionë amerikanë, të cilët jetojnë pa ujë të rrjedhshëm. Këtë po përpiqet ta zgjidhë organizata joqeveritare DigDeep.
“Familjet indigjene janë 19 herë më shumë të rrezikuara të mbeten pa ujë të pijshëm, se familjet e të bardhëve; edhe familjet e afrikano-amerikanëve dhe latinëve janë dy herë më të rrezikuar”, thotë Julie Waechter, drejtuese në organizatën “DigDeep”.
Fisi indigjen Navajo ka rezervatin më të madh të indigjenëve në Amerikë, me territor që shtrihet përgjatë tre shteteve perëndimore Jutah, Arizona dhe Nju Meksiko.
40 për qind e popullsisë në këtë rezervat nuk ka ujë të rrjedhshëm.
Kjo do të thotë se njerëzve u duhet të udhëtojnë shpesh deri në 100 kilometra për në qytet dhe kthim.
Për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj mungese të ujit, kompania SOURCE Global ka instaluar panele që mbledhin avujt nga ajri dhe krijojnë ujë të pijshëm për 500 shtëpi.
“Kur shikon një hidro-panel, ngjason pak me një panel normal diellor, vetëm se është pak më i trashë dhe mbledh dritën e diellit dhe ajrin për të nxjerrë ujë të pijshëm. Nëse do e nxirrnim një panel të tillë nga kutia tani dhe ta bënim gati, për 15 minuta deri në gjysëm ore do të kishim një gotë me ujë”, thotë Cody Friesen, themelues i kompanisë Source Global.
Çdo hidro-panel është praktikisht një burim i pavarur uji. Ky zhvillim u ka ndryshuar jetën anëtarëve të fisit Navajo, në veçanti pjesëtarëve më të vjetër të komunitetit.
“Disa thanë se nuk e kishin menduar kurrë se gjatë jetës së tyre do të nxirrej ujë i pijshëm në shtëpinë e tyre. Deri më tani shkonin dhe blinin ujë në supermarket. Është një bekim ta shoh tashmë këtë të ndodhë”, thotë Jerry Williams, anëtar i fisit Navajo.
Drejtuesja e organizatës DigDeep thotë se që të arrihet barazia për ujë në Shtetet e Bashkuara duhet infrastruktura e duhur, e cila të jetë projektuar për t’iu përshtatur nevojave të çdo komuniteti.
“Realiteti është se vendet me të ardhura të larta kanë kriza të padukshme uji, ku komunitete që gjenden brenda kufijve të tyre dhe që nuk kanë ujë të rrjedhshëm, shpesh injorohen, dhe kjo nuk është e pranueshme”, thotë zonja Waechter.
Ajo thotë se ndërsa ndryshimet klimatike dhe vjetërsimi i infrastrukturës po kontribuon në rritjen e presionit të popullsisë ndaj burimeve ujore, ajo që nevojitet është një përpjekje më gjithëpërfshirëse dhe më aktive në çdo komunitet ku mungon uji i pijshëm./VOA