Volta Nacional. 24 de Fevereiro de 2024

Udhëheqësi i qendrës së djathtë ftohet të formojë një qeveri të pakicës në Portugali

Presidenti i Portugalisë i ka bërë një ftesë politikanit të qendrës së djathtë Luís Montenegro për ta mbledhur një qeveri të pakicës.

Pavarësisht se i fitoi zgjedhjet e parakohshme në fillim të këtij muaji, Aleanca Demokratike (AD) nuk arriti të sigurojë një shumicë parlamentare. Veçanërisht, partia nuk pranoi të bashkëpunonte me partinë e ekstremit të djathtë Chega, e cila arriti një numër historik vendesh.

Portugalia, nën qeverisjen socialiste që nga viti 2015, tani përballet me parlamentin e saj më të fragmentuar që nga fundi i diktaturës së saj pesëdhjetë vjet më parë.

Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa i kërkoi zyrtarisht Montenegros ta marrë rolin e kryeministrit pak pas mesnatës të së enjtes pas konsultimeve me krerët e partisë.

Një deklaratë nga administrata presidenciale shpjegoi, “Me Aleancën Demokratike që doli si fituese për sa i përket mandateve dhe votave, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste pohoi synimin e tij për të udhëhequr opozitën, Presidenti i Republikës zgjodhi ta emërojë Dr Luís Montenegro si kryeministër”.

Pavarësisht se fitoi 80 ulëse, AD ra ndjeshëm më pak nga 116 vendet e nevojshme për një shumicë. Për rrjedhojë, partia duhet të kërkojë mbështetje ose nga socialistët, të cilët kanë 78 mandate, ose nga Chega (Mjaft), që siguroi 50 mandate, për ta miratuar legjislacionin.

Udhëheqësi i AD ka deklaruar vazhdimisht mosgatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Chega. Ndërkohë, kreu i partisë, ish-komentatori i futbollit, André Ventura, aspiroi të kishte ndikim të rëndësishëm në parlamentin e ri.

Montenegro do të pasojë Antonio Kostën, i cili udhëhoqi kombin iberik si udhëheqës i Partisë Socialiste që nga viti 2015. Megjithatë, Costa dha dorëheqjen katër muaj më parë mes akuzave për korrupsion, pavarësisht se nuk u përfshi kurrë në hetim.

Pakënaqësia e votuesve me qeverisjen e qendrës së majtë është nxitur nga pagat e ulëta dhe qiratë në rritje./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala