Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani takohet me kryeministrin António Costa, kërkon përkrahjen e Portugalisë për rrugën euro-atlantike të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Portugali është pritur në takim nga kryeministri António Costa.

Ajo ka kërkuar përkrahjen e mëtejme të Portugalisë për rrugën euro-atlantike të Kosovës.

“Osmani ka theksuar se është jo vetëm interes shtetëror i Kosovës, por edhe interes strategjik i BE-së, që Ballkani Perëndimor, bazuar në merita, të bëjë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit, në mënyrë që të kontribuohet për synimin e përbashkët për një Evropë të tërë, të lirë e në paqe”- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu, Osmani ka ritheksuar se është e domosdoshme të bëhen hapa urgjentë për anëtarësim në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe, si hap që, sipas saj, do të kontribuonte për paqe në rajon dhe kontinent.

Sipas njoftimit, Osmani e ka informuar kryeministrin Costa për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, posaçërisht në lidhje me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës dhe nevojën e adresimit të përgjegjësisë së saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

“Në dialogun me Serbinë, Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se vetëm njohja reciproke është kusht për paqe e stabilitet në rajon”- ka thënë ajo.

Ata kanë diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në sferën e politikës së jashtme, sektorin e IT-së, shkëmbimit ekonomik e tregtar, arsim, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.