Udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan dëshmon për rastin e Agon Musliut

Fadil Kajtazi, udhëheqës i qendrës operative emergjente në Gjilan, është duke dëshmuar në komisionin hetimor parlamentar për pandemi lidhur me rastin e Agon Musliut, i cili vdiq në fillim të muajit maj në qendrën e studentëve që ishte shndërruar në karantinë për personat e ardhur nga jashtë.

Kajtazi ka thënë se me 1 maj ka  dwrguar emailin  e parë ku është bërë kërkesa që Naim Musliu të marrë leje qarkullimi.

“Situata është pak konfuze për t’u përgjigjur saktë, pasi situata në qendrën emergjente operative atë kohë ka qenë dinamike, qindra mijëra kërkesa në ditë nga qytetarët për t’u liruar. Emaili i parë që kam dërguar në qendrën operative në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka qenë më 1 maj me kërkesën e prindit që ta presë të birin në aeroport duke sqaruar se në bazë të dokumentacionit që ka paraqitur babai (një ultrazë të abdomenit) Agon Musliu ka qenë i sëmurë nga mëlqia. Dokumenti ka qenë i lëshuar në shkurt 2019,” ka thënë Kajtazi.

Kajtazi tutje ka shtuar se kërkesa është aprovuar menjëherë dhe Naim Musliu i është dhënë leje qarkullimi më 2 maj nga ora 08:00 deri 13:00.
“Kjo ka qenë leje qarkullimi jo për ta marrë nga aeroporti, sepse ajo nuk është kompetencë e jona”, tha Kajtazi.

Lidhur me këtë leje, kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari Lila ka thënë se babai i Agonit me këtë leje ka nënkuptuar se mund ta nxjerrë të birin nga aeroporti, e që në fakt ka qenë leje qarkullimi deri në aeroport.

Kajtazi më tej ka shtuar se me datë 3 maj ora 17:00 ka bërë një kërkesë tjetër në qendrën operative emergjente në Ministrinë e Shëndetësisë ku ka kërkuar një neuropsikiatër për Agon Musliun.

“Informatën se Agon Musliu është depresiv e kam marrë nga kryetari Haziri, ku edhe kemi përcjellur një kërkesë më 3 maj në orën 17:00 në qendrën operative emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë që Agon Musliu urgjentisht të kontrollohet nga një neuropsikiatër sepse është depresiv,” ka shtuar Kajtazi.

Sot gjatë ditës para këtij komisioni në cilësinë e dëshmitarit ka dëshmuar edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri lidhur me rastin e Agon Musliut.