Turqisë sërish i vonohen vaksinat anti-COVID

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha të hënën se dërgesa e vaksinave anti-COVID nga Kina është vonuar sërish për shkak se një zyrtar kinez i doganave ka rezultuar pozitiv me COVID-19, raporton Balkan Insight.

“Për shkak të alarmit për COVID-19 në Pekin dhe një rasti me COVID në doganën e Kinës, lëvizja e mallrave në doganë është ndaluar përkohësisht. Për këtë arsye, ardhja e vaksinave tona do të bëhet me një ose dy ditë vonesë”, tha ministri turk.

Ankaraja ka vendosur t’i blejë 50 milionë doza vaksinash nga CoronaVac e Kinës për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së virusit por dërgesa e parë prej 3 milionë dozave është shtyrë disa herë.