Foto: KALLXO.com

Trupi i të vdekurit nga COVID-19 pret 11 orë në Klinikën e Pulmologjisë

Një person ka vdekur sot rreth orës 03:00 të mëngjesit në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. I ndjeri kishte qëndruar për rreth 11 orë në Klinikën e Pulmologjisë dhe  nuk i ishte dërguar familjes për ceremoni mortore.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mjeku kujdestar, Shpëtim Thaçi.

“Tani kjo çështje është e rregulluar pra kemi një vdekje, [pacienti] i cila ka vdekur në ora 3 të mëngjesit” , ka thënë ai.

Ai nuk ka treguar se pse kufoma ka qëndruar aq gjatë në Klinikë mirëpo theksoi se ekipa kujdestare i lajmëron drejtoritë kompetente për vdekjet që ndodhin.

“Ekipa kujdestare në mënyrë obligative e lajmëron Qendrën Operative, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publike, Ministrin e Shëndetësisë Drejtorin e ShSKUK-së dhe njëkohësisht Sekretarin Permanent të Shëndetësisë” , tregon tutje ai.

Mjeku potencoi se ekziston një marrëveshje në mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe një Organizate Joqeveritare e cila bën përgatitjen e kufomës.

“Egziston një marrëveshje në mes të MSh dhe një OJQ-je e cila bënë planifikimin dhe përgatitjen e kufomave të cilat janë me COVID-19 dhe pastaj bëhet varrimi i tyre. Ne jemi në pritje dhe po besojmë që ata shumë shpejt do të vinë dhe do ta marrin kufomën”, tregoi Thaçi.

Në anën tjetër Drejtoresha e Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, pas tha për KALLXO.com se viktima rreth orës 14 i është dorëzuar familjes.

Sipas IKShPk-së sot në nivel vendi janë regjistruar 13 vdekje, ndërsa janë regjistruar edhe 225 raste të reja dhe janë shëruar 201 pacientë të tjerë.